Kosova

Vrasja e trefishtë në Deçan, flet prokurorja e rastit: Kemi disa indikacione, hetimet nuk janë të lehta


Autobusi që u sulmua të premten në Gllogjan të Deçanit

Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë tha se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave në Deçan, por pranoi se hetimet “nuk janë të lehta”.

“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, tha për Radion Evropa e Lirë prokurorja e rastit, Sahide Gashi, por pa dhënë detaje të tjera.

Të premten e 26 nëntorit, tre persona, në mesin e tyre dy nxënës mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 nga një apo më shumë persona të maskuara të cilët kishin nxënë pritën autobusit, duke i dalë përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Me gjithë impenjimin e Policisë së Kosovës, ende nuk është gjetur personi apo personat që mund të kenë kryer këtë akt.

Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist.

Viktimat e sulmit të ditës së premte në fshatin Gllogjan të Deçanit

Ndryshe Qeveria e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për qytetarët që me informacionet e tyre mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit, thuhet se për identifikimin sa më të shpejt të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

“Apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20 mijë euro për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore