Shqipëria

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Apeli ndryshon vendimin: 7 vite burg për Paplekajn


Këtë të hënë të 1 korrikut, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e dhënë për Arbër Paplekajn, autorin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në vitin 2021.

Kështu, Apeli vendosi dënimin e Paplekajt me shtatë vite burg – për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes.

Trupa e gjykuese përbëhej nga Fadri Islamaj, Enida Petri dhe Marsela Pepi.

Gjykata e Elbasanit e pati shpallur fajtor Paplekajn, duke e dënuar me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese (gjë që u ndryshua, pas ekspertizës).

Sipas ekspertëve, konflikti me armë  – pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 – nisi nga pozicioni i Pjerin Xhuvanit.

“Viktima Pjerin Xhuvani erdhi në vendngjarje i shoqëruar me persona të tjerë. Arbër Paplekaj u tërhoq, identifikoi qitësin. Grupet u shtynë me njëri-tjetrin, aty ishte dhe policia. Në trupin e viktimës faktor plotësues që mund të jetë kontaminuar nga një qitës pranë tij”.

Ekspertët kanë vendosur në dispozicion të gjykatës në rrugë elektronike aktin tekniko-balistik të kryer në vendin e krimit.

Sakaq, avokati i Paplekajt nga ana e tij ka kërkuar kohë që të shqyrtojë këtë akt.

Ndërkohë, prokurori Gent Xholi theksoi se, akti është voluminoz dhe se e kishte marrë atë vetëm para gjysmë ore.

“S’mund ta shqyrtoj brenda një kohe të shkurtër”, tha ai.

Gjykata nga ana tjetër ka pyetur ekspertët Arjan Hako, Shpëtim Budo dhe Artan Rexhepi nëse e konsiderojnë aktin të plotë.

Kësaj pyetje, eksperti Hako tha se “për pamjet filmike jemi shprehur për aq sa konstatojmë”.

Apeli vendosi që të kryhet rindërtimi, pas kërkesës së Arbër Paplekajt për rikualifikim të veprës penale: nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.

Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore