Lajme

Vrasësit me telekomandë, prapa sulmeve ruse me raketa cruise në Ukrainë


Më 10 dhe 11 tetor, në atë që u shfaq dhe u prezantua nga Moska si një hakmarrje për shkatërrimin e pjesshëm të urës së Krimesë, Rusia gjuajti rreth 80 raketa, edhe cruise, drejt objektivave civilë në Kiev dhe zona të tjera të Ukrainës.

Ajo përdori raketa të llojit Kalibr (3M- 14) të nisura nga deti, R-500 (9M728) të nisura nga toka përmes sistemit Iskander dhe Kh-101 të lëshuara nga ajri.

Sipas disa organizatave të pavarura të të drejtave të njeriut dhe medias, ato raketa goditën një numër të madh objektivash civile, duke përfshirë edhe këndet e lojërave për fëmijë.

Është tashmë e ditur që civilët e vrarë përbëjnë vepër penale të krimeve të luftës.

Tani, një hetim nga grupi i gazetarëve investigativë “Bellingcat” (ekipi u drejtua në këtë rast nga Christo Grozev) dhe kolektivi rus i së përditshmes “The Insider” (i udhëhequr nga Roman Dobrokhtov) ka rindërtuar tre skuadrat me rreth 10 inxhinierë ushtarakë secila, që dyshohen se janë përgjegjëse për lëshimin e raketave ndaj civilëve ukrainas, duke përfshirë edhe të fundit në Kiev.

Dhe mbi të gjitha publikuan fotografi dhe shumë nga fytyrat e tyre.

Programuesit e raketave janë pjesë e Qendrës kryesore informatike të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse (GVC), të kryesuar nga koloneli, Igor Bagnyuk.

“The Insider” arriti të zbulojë identitetin e tij bazuar në analizën e të dhënave telefonike të 11 anëtarëve të grupit të inxhinierëve , të marra nga burimet e të dhënave në tregun e zi rus të të dhënave.

Një detaj i rëndësishëm ky, i cili theksohet në hetim që në fillim.

Këto të dhëna u kryqëzuan me të dhëna të tjera nga burime të hapura (open-source) të mijëra të diplomuarve nga institutet kryesore ushtarake ruse që merren me inxhinierinë dhe programimin e raketave, veçanërisht Akademia Ushtarake e Forcave Raketore Strategjike në Balashikha, afër Moskës, dhe Instituti i Inxhinierisë Ushtarake-Detare, në periferi të Shën Petersburgut.

Dhe kështu kanë kryqëzuar të dhënat nga burime të hapura dhe të dhënat digjitale që shumë prej tyre – përfshirë komandantin – nuk janë shqetësuar shumë të fshijnë.

Disa nga anëtarët e kësaj njësie kanë marrë pjesë gjithashtu në planifikimin e sulmeve me raketa cruise ndaj objektivave në Siri, disa kanë punuar në Qendrën e komandës ushtarake ruse në Damask, madje disave u janë dhënë çmime të ndryshme ushtarake, duke përfshirë edhe nga vetë presidenti rus Vladimir Putin.

Grupi punon nga dy lokacione – një në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes (siç do të shohim më poshtë, dhe nga e cila është marrë fotografia e publikuar nga dy kolektivët investigativë) në Moskë dhe tjetra në selinë e Admiralëve në Shën Petersburg.

Të gjithë inxhinierët e identifikuar u kontaktuan. Shumica prej tyre e mbyllën menjëherë telefonin sapo dëgjuan se po flisnin me “The Insider”, ose mohuan provat (ka foto të tyre me uniforma të GVC-së).

Kapiteni Sergey Ilyin, i cili ka folur me Bagnyuk në telefon më shumë se 30 herë në katër muajt e fundit, u përgjigj se ai ishte një hidraulik i vetëpunësuar, megjithëse ka foto të tij me uniformën ushtarake të njësisë.

Por dy prej tyre ranë dakord të flisnin.

Njëri për ta konfirmuar gjënë, por duke shpjeguar se nuk mund të jepte detaje, dhe një tjetër, në kushte anonimiteti, zbuloi informacione se si grupi ishte i ngarkuar të kryente programimin manual të trajektoreve të raketave dhe madje ofroi foto të komandantit të tyre, Igor Bagnyuk dhe grupit informatik GVC duke pozuar para një ndërtese të Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë.

“The Insider” ka analizuar 126 telefonata nga shkurti deri në ditën e sotme.

Të gjitha konvergojnë në rolin koordinues të Bagnyuk dhe zbulojnë me saktësi rolet e tjera.

Ushtari që u përgjigj në telefon se nuk mund të thoshte më shumë quhet Matvey Lyubavin, është shumë i ri, ka lindur në vitin 1992 dhe ka mbaruar shkollën detare-ushtarake Nakhimov në Shën Petersburg në vitin 2009.

Në vitin 2014 është diplomuar në institutin e inxhinierisë ushtarako-detare nga Shën Petërburgu me specializim në “automatizimin kompjuterik të sistemeve speciale”. Një 30-vjeçar tashmë kriminel lufte.

Gazetarët i kërkuan atij të komentonte mbi viktimat e shumta civile të sulmeve me raketa dhe Lyubavin u përgjigj: Bëhuni më profesionistë e bëni pyetje konkrete.

Në atë moment, gazetarët e riformuluan pyetjen: A janë viktimat e shumta civile pas sulmit me raketave cruise një rezultat i dëshiruar apo rezultat i një objektivi të gabuar?

Lyubavin atëherë shpjegoi se nuk mund t’i përgjigjej kësaj pyetjeje.

Tabela e publikuar është ajo e “The Insider” dhe “Bellingcat”.

Ka disa prej anëtarëve që kanë një të kaluar, për shembull një nga anëtarët e ekipit, majori Andrey Ivanyutin, shfaqet në fotot e një takimi midis Putinit dhe Presidentit sirian, Bashar Assad, i cili u zhvillua në një kompleks rus në Damask në janar 2021.

Sipas biografisë së tij nga burime të hapura, Bagnyuk lindi në Riga, Letoni, në 1982  dhe u diplomua në degën Serpukhov të Akademisë së Forcave Raketore Strategjike, i specializuar në sistemet e informacionit për raketat ruse.

Më pas ai shkoi për të shërbyer në njësinë ushtarake 29692, dhe në vitin 2010 u transferua në Moskë në GVC-së.

Midis 2015 dhe 2020 i është dhënë Medalja Ruse e Vlerave për pjesëmarrje në operacionet në Siri. Mund t’i referohet edhe bombardimeve që rrafshuan Aleppon.

Një element tjetër jashtëzakonisht interesant është se Bagnyuk flet edhe me eprorët e tij në telefon, por ndërsa ai merr shpesh vartësit e tij, bisedat me komandantët, gjeneralin Baranov dhe kolonelin Evgeniy Kapshuk, janë më të rralla dhe zakonisht lidhen me periudhat kohore të sulmeve me raketa në shkallë të gjerë.

Një tjetër pikë interesante është se të dhënat telefonike të Bagnyuk-ut dhe vartësve të tij në javët para sulmeve të 10 tetorit tregojnë se midis 2 tetorit dhe 9 tetorit, ka të paktën 11 telefonata që u janë bërë inxhinierëve vetëm në datën 9, dita e fundit para sulmeve.

Nga të dhënat duket se sulmi me raketa kundër Kiev-it ishte planifikuar përpara situatës së urës së Krimesë, dhe për këtë arsye nuk kemi të bëjmë me një hakmarrje ndaj asaj, siç pretendohet nga propaganda zyrtare ruse.

Versioni rus i hetimit sugjeron detaje të tjera, duke përfshirë mesazhet me tekst midis njërit prej këtyre programuesve dhe një prostitute.

Michael Sheldon i Bellingcat gjithashtu gjeoetiketoi fotot e grupit brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Operacioni duket se është menaxhuar fizikisht prej andej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore