Lajme

Vrasësi që pranoi dënimin me vdekje dhe frymëzoi Nike-un


Nëse do të përflitej për numrin e tij të vrasjeve (dy të tilla), nuk do të krahasohej me famën dhe statusin e tij në historinë e Shteteve të Bashkuara prej një shkaku tjetër.

Gary Gilmore u bë njeriu i parë që u ekzekutua pas 10 vitesh më 17 janar 1977.

Deri në atë kohë, SHBA-të kishin vendosur një moratorium 4-vjeçar, që e shpallte dënimin me vdekje si të jashtëligjshëm.

Gilmore refuzoi të gjitha rrugët e apelimit ligjor për të pezulluar ekzekutimin e tij.

Kjo e bën unik në ndryshim nga shumica e kriminelëve të dënuar me vdekje.

Ata zakonisht kërkojnë të gjitha mjetet ligjore për të vonuar dënimin e tyre sa më gjatë që të jetë e mundur.

Historia

Gary Mark Gilmore lindi më 4 dhjetor të vitit 1940 në një qytet rural të Teksasit.

Ai ishte fëmija i dytë nga katër djemtë e familjes Gilmore.

Jeta e tij e hershme ishte nomade (e paqëndrueshme).

Babai i tij ishte një i alkoolizuar që e siguronte jetesën përmes mashtrimeve të vogla.

Nëna e tij ishte një figurë represive, e dëbuar nga familja e saj mormone dhe nuk i pëlqente asnjë shprehi e dashurisë.

Ajo kishte një magjepsje me okultizmin dhe pretendonte se kishte parë një varje në rininë e saj (edhe pse kjo më vonë nuk u vërtetua).

Kjo situatë bëri që djemtë e saj të vegjël të kishin makthe dhe të jetonin me frikë.

Gary Gilmore mendohet të ketë përforcuar asokohe tiparet obsesive të personalitetit.

Në kohën kur Gilmore ishte dhjetë vjeç, familja ishte vendosur në Portland të Oregon-it.

Ai dukej i vendosur të zgjidhte një jetë kriminale si e babait të tij.

Krime të shumta, duke përfshirë vjedhje të vogla dhe vjedhjet e dyqaneve, e vunë atë në vëmendjen e ligjzbatuesve.

Babai i tij vdiq gjatë kohës që ai ishte në burg dhe sjellja e tij u bë gjithnjë e më e dhunshme, derisa u vendos nën regjimin e barnave antipsikotike.

Vrasjet

Në javët para vrasjeve, jeta e Gilmore dukej se po i dilte nga kontrolli.

E dashura e tij, Nicole, u frikësua nga sjellja e tij e dhunshme dhe pirja e alkoolit duke e lënë pas vetëm disa muajsh lidhje.

Përveç kësaj, gjendja e tij financiare u përkeqësua nga blerja e një kamioni të shtrenjtë.

Në mbrëmjen e 19 korrikut 1976, Gilmore kreu vrasjen e tij të parë.

Ai iu afrua Max Jensen, një punonjësi karburanti në Orem të Utah-ës, duke e kërcënuar me armë dhe duke i kërkuar që të zbrazte xhepat.

Jensen u bind. Pavarësisht kësaj, Gilmore e qëlloi për vdekje dy herë në kokë.

Të nesërmen, ai mori kamionin e tij të ri për një riparim të vogël dhe u largua nga garazhi.

Në Motelin City Center do të kryhej vrasja e dytë që do të përmbyllte ciklin kriminal të Gilmore-t.

Pasi kërcënoi me armë menaxherin, Ben Bushnell, ai i kërkoi të dorëzonte paratë e arkës së motelit.

Pavarësisht se kërkesat e tij u përmbushën, ai qëlloi Bushnell-in dhe u largua nga ndërtesa.

Vendimi

Kur avokatët e tij mbrojtës u përgatitën për të apeluar dënimin, Gilmore i pushoi ata.

Ai vulosi vdekjen me duart e tij.

Në media kishte një interes të madh për atë që do të ishte ekzekutimi i parë në SHBA në 10 vjet.

Pavarësisht se Gilmore u dorëhoq nga fati i tij dhe pranoi dënimin, protestuesit ishin të vendosur për të parandaluar kthimin e dënimit me vdekje.

Interesi i medias i mundësoi Gilmore-it të shiste të drejtat për historinë e tij për 50 mijë dollarë, të cilat u shpërndanë mes të afërmve të tij.

Dënimi u vendos përsëri nga vrasësi.

Ai u lidh në një karrige përpara një muri me qese rëre, me një kapuç të zi mbi kokë.

Një objektiv letre ishte vendosur mbi zemrën e tij për të ndihmuar skuadrën e pushkatimit që të godisnin objektivin e tyre.

Fjalët e fundit të Gilmore ishin “Let’s do it” (Le ta bëjmë) dhe në SHBA sapo ishte rivendosur dënimi me vdekje.

Just/do it

11 vjet më vonë, fjalët e fundit të Gilmore mbetën në mendjen e drejtuesit të reklamave për kompaninë Nike, Dan Wieden.

Duke u fokusuar në ato fjalë gjatë përgatitjes së një fushate për Nike, Wieden e ndryshoi frazën në “Just do it” (Thjesht bëje).

Propozimi u vendos përpara drejtuesve të kompanisë së këpucëve dhe veshjeve.

Liz Dolan, e cila ishte shefja e marketingut në Nike, kujtoi se drejtuesit do të kërkonin një slogan të ri.

Kjo, edhe nëse “Just Do It” do të korrte sukses.

Por kompania u ndikua nga letrat e njerëzve që thoshin se kjo frazë e thjeshtë i kishte frymëzuar në disa aspekte të përditshmërisë.

Ndërgjegja e një vrasësi gjakftohtë, papritur u kthye në motivimin më të ngrohtë për shpirtin dhe mendjet e njerëzve anembanë botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore