Lajme

Von der Leyen: Sulmi i Hamasit ishte një “akt lufte” që pasqyron “një të keqe të lashtë”


Shefja e BE-së Ursula von der Leyen thotë se vrasja e civilëve izraelitë nga grupi militant palestinez Hamas ishte një akt lufte gjakftohtë dhe pasqyronte një “të keqe të lashtë”.

“Duhet të jemi të qartë në përcaktimin e këtij lloj tmerri”, tha ajo. “Dhe mund të ketë vetëm një përgjigje për këtë. Evropa qëndron me Izraelin. Dhe ne mbështesim plotësisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “The Times of Israel”.

Duke iu drejtuar fillimit të një takimi të komisionerëve evropianë, von der Leyen mbështeti gjithashtu një rishikim të plotë të mbështetjes financiare prej shumë milionë eurosh të BE-së për projektet palestineze.

“Terroristët e Hamasit vranë gra dhe fëmijë në shtëpitë e tyre. Ata gjuanin qindra të rinj dhe të reja që po festonin jetën dhe muzikën”, thotë von der Leyen. “Ata morën peng qindra të pafajshëm, fati i të cilëve ende nuk dihet”.

Sipas saj, këta të pafajshëm u vranë për një arsye të vetme: “se ishin hebrenj dhe jetonin në shtetin e Izraelit”.

“Është një e keqe e lashtë, e cila na kujton të kaluarën më të errët dhe na trondit të gjithëve deri në palcë”, shtoi shefja e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore