Lajme

Von Cramon, Vuçiçit: Gjermanët s’duan të investojnë në një vend që mban anën e Rusisë


Viola von Cramon

Eurodeputetja gjermane nga radhët e të Gjelbërve, Viola von Cramon, “marrëzi absolute” i ka cilësuar akuzat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, gjatë një adresimi drejtuar popullit serb, pretendoi se disa organizata nga Gjermania, përfshirë edhe Partinë e Gjelbër, po financojnë protestat në Serbi.

Në një intervistë për gazetën opozitare serbe “Nova”, teksa komentoi vrasjet masive në Serbi, ku mbetën të vdekur rreth 17 persona dhe disa dhjetëra të plagosur, ajo theksoi se as presidenti dhe as qeveria serbe nuk treguan ndjeshmëri, kujdes dhe trishtim pas këtyre ngjarjeve dhe për këtë arsye çdo javë kanë mijëra qytetarë në rrugë.

“Unë mohoj kategorikisht çdo akuzë se organizatat nga Gjermania, përfshirë Partinë e Gjelbër dhe fondacionin Heinrich Bell, financojnë protesta në Serbi. Pretendime të tilla janë të pabaza dhe shërbejnë vetëm për të treguar se protestat nuk janë një reagim i sinqertë i popullit serb, i cili me të drejtë është i zemëruar me elitën në pushtet”.

Ajo ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Bratislav Gashiç, i cili, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin e Serbisë, pretendoi se se policia serbe e di se kush është vrasësi i ish-liderit politik të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, por se ai është nën mbrojtjen e “autoriteteve gjermane”.

Raportuesja e Përhershme për Kosovën në Parlamentin Evropian, ndër të tjera, ka theksuar se deklarata të tilla, si ato të presidentit Vuçiç dhe ministrit Gashiç, do të acarojnë ndjeshëm marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Serbisë, veçanërisht në aspektin ekonomik.

“Kompanitë gjermane nuk duan të jenë në një vend që mban anën e Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ose kudo tjetër, ose të kenë një qeveri që akuzon Gjermaninë se po mbron vrasësit e dikujt. Presidenti Vuçiç i di shumë mirë të gjitha këto dhe besoj se edhe ai mendon se sa e papranueshme është për ne”.

Ndryshe, mijëra njerëz mblidhën për çdo javë në Beograd nën sloganin “Serbia kundër dhunës”. Protestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë shtetëror dhe kufizimin e përmbajtjeve të dhunshme në media, pasi dy raste të vrasjeve masive e tronditën Serbinë në muajin maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore