Vende

Vizitorët drejt Shqipërisë vetëm shtohen, rritje me 33% në mars


Hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri vijojnë të shohin vetëm rritje, ku vetëm në mars 2023, ka pasur një rritje prej 33.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Sipas shifrave të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, kanë qenë gjithsej 846 mijë e 645 shtetasve në tërësi gjatë marsit, duke reflektuar rritjen.

Po ashtu, edhe daljet nga vendi kanë qenë në shifrën e 842 mijë shtetasve, duke shënuar rritje me 22.3%.

Në ndarjen tërësore, shumica e hyrjeve kanë qenë shqiptarë, ndërsa të huajt kanë qenë 348 mijë.

Sërish, shënohet rritje edhe e këtyre të fundit, me 39.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Një shtim shumë i madh ka ardhur edhe sa i takon hyrjeve në tremujorin e parë të vitit, me 53.6%.

Më konkretisht, nga 1.545 milionë vizitorë në tremujorin e parë të vitit 2022, gjatë 2023-shit vizitorët kanë qenë 2.375 milionë.

Raporti mes shqiptarëve dhe të huajve, është me 300 mijë, ku 1.304 milionë kanë qenë shqiptarë dhe 1.070 milionë kanë qenë të huaj.

Prej këtyre të fundit, vendin kryesor e zënë shtetasit evropianë dhe kryesisht nga rajoni i Evropës Jugore, me 910 mijë vizitorë në tre muaj.

Më të paktit ndërkohë janë ata nga Lindja e Mesme dhe Afrika, apo edhe Azia, të cilët ndalen në shifra modeste prej 1 mijë deri në 4 mijë turistë drejt Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e personave vijnë për pushime në vend. Ndërsa, një numër në rritje, shihet edhe sa i takon atyre, të cilët kanë për synim biznesin, apo e shohin Shqipërinë si një vend tranziti drejt një shteti tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore