Lajme

Vizita e Bolsonaros sjell revolta në Itali


Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, vijon të martën e 2 nëntorit vizitën e tij zyrtare në Itali.

Mbërritja e tij nuk ka kaluar pa zhurmë, pasi shumica e takimeve me zyrtarë të ndryshëm italianë janë anuluar.

Shumë prej tyre nuk bien dakord me idetë dhe veprimet e Bolsonaros.

Presidenti brazilian pritet të vizitojë varrezat e San Rocco-s në Lombardi, aty ku prehen brazilianët e rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

I vetmi politikan italian që do e mirëpresë liderin brazilian gjatë kësaj ceremonie është ish-zëvendëskryeministri, Matteo Salvini.

Dioqeza ka bërë thirrje për një rikthim të klimës solemne për të gjitha përvjetoret.

“Përkujtimi i të vdekurve”, nënvizon autoriteti kishtar, “është një vepër e veçantë e mëshirës nga të krishterët dhe nuk mund e nuk duhet të jetë objekt i shfrytëzimit apo urrejtjes nga asnjë parti politike”.

Revolta

Gjatë së martës janë parashikuar sërish demonstrata në sheshin Duomo nën moton “Fora Bolsonaro” (Bolsonaro Ik).

Më herët, Bolsonaro u mirëprit mes ovacioneve dhe ofendimeve teksa vizitoi një qytet të vogël italian.

Presidenti brazilian mori shtetësinë e nderit në rajonin e Venetos, aty ku ka lindur stërgjyshi i tij.

Tensionet në Itali kanë filluar që pas miratimit të dhënien së shtetësisë së nderit.

Javën e kaluar, protestuesit lyen murin e bashkisë me fjalët “Bolsonaro Ik”.

Bolsonaro mbërriti në Anguillara Veneta të Venetos pasi mori pjesë në samitin e G20 në Romë.

Shtypi italian raportoi se pritja e Bolsonaro-s dhe truprojat e tij i kushtuan arkave të këshillit të qytetit rreth 10 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore