Lajme

Vitia: Buxheti i Shëndetësisë do të kalojë në platformën e transparencës radikale – shpenzimet duhet të shihen nga i gjithë publiku


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në Komisionin për Shëndetësi ka raportuar për gjendjen në spitalet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Vitia ka folur për sfidat që e presin shëndetësinë në Kosovë dhe të arriturat në këtë sektor.

Ai ka sqaruar se çështja e buxhetit në shëndetësi dhe mënyra e shpenzimit të tij do të kalojë në “platformën e transparencës radikale”, pasi sipas tij vetëm kështu do të bëhet informimi i publikut në mënyrë të duhur.

Ministri e ka konsideruar të domosdoshëm që të shihen shpenzimet në shëndetësi nga i gjithë publiku.

“Nuk është çështje vetëm buxheti, është çështja që të ndërrohet edhe modeli. Masë e domosdoshme është masa antikorrupsion, procesi i shpenzimit të buxhetit dhe atij të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe SHSKUK-së do të kalojë në platformën e transparencës radikale”.

“Është e nevojshme që çdo shpenzim të shihet nga i gjithë publiku dhe buxheti është rritur dhe duhet të rritur edhe llogaridhënia”, ka thënë Vitia gjatë raportimit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Për sfidat që e presin shëndetësinë ai ka thënë se janë gati të veprojnë.

“Para nesh kemi një seri urgjencash për të cilat jemi gati të veprojmë, e përveç asaj veç se kemi filluar zbatimin disa zbatime për masat”.

Ai tutje ka theksuar urgjencat që janë prioritet të sistemit shëndetësorë.

“Sigurimi në sektorin publik i profesionistëve mjekësorë në fushat deficitare, zvogëlimi i listës së pritjes, ndërhyrjet emergjente në infrastrukturën spitalore dhe shtimin e një grupi të pajisjeve mjekësore brenda sektorit publik që ulin shpenzimet e pacientëve, kontrolli i sigurisë së barnave përfshirë edhe kontrollin e tregut”.

Ai tutje ka thënë se do të shtohet kontrollimi për siguri edhe tek institucionet private.

“Mbikëqyrja e institucioneve private dhe sigurisë së shërbimeve në to, listimi zyrtarë i shërbimeve që ofrojnë institucionet publike dhe ato private përfshirë tarifat për to në raste kur ato aplikohen, reformimi i procesit të trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike”.

“Hapja e konkurseve të reja për specializantët, lista esenciale e re e barnave miratimi dhe furnizimi i saj, koordinimi sistematik në nivelin komunal dhe furnizim të plotë të Qendrave të Mjekësisë Familjare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore