Shqipëria

Vijon dialogu për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri thotë se opozita po heq dorë nga votimi elektronik


Ka përfunduar një mbledhje e grupit të dialogut për Reformën Zgjedhore, ku pas saj, në një prononcim për mediat, përfaqësuesi socialist, Damian Gjiknuri, ka thënë se opozita është drejt rrugës së heqjes dorë nga votimi elektronik.

Një kusht ky, i cili më parë dukej i pamundur për t’u anashkaluar.

Në fjalën e tij për mediat Damian Gjiknuri ka deklaruar se mazhoranca është treguar e gatshme që të financohet votimi e më pas edhe numërimi elektronik i votave në zgjedhjet e 2025, ndërkohë që ka shtuar se duket se opozita është tërhequr nga një kërkesë e tillë, të cilën e ka nënvizuar për një kohë të gjatë.

Gjiknuri u shpreh se sa i përket votës së emigrantëve, ajo është ende e mundur, pasi ka ende kohë në dispozicion për organizimin e procesit.

“Në këtë pikë duhet të adresohen dy çështje, tre vendime të Gjykatës Kushtetuese, e para ka të bëjë me votën e diasporës, e dyta është herësi, shpërndarja brenda forcave politike. DO të dalim me propozimet tona, për shpërndarjen e mandateve. Nëse nuk bihet dakord, lista mund të interpretohet nga KQZ si e hapur plotësisht”, theksoi ai.

Më tej, shtoi se ka dhënë edhe garanci nga ana e mazhorancës që të financojnë votimin e numërimin elektronik në katër-pesë qarqet më të mëdha të vendit, por opozita ka hequr pak a shumë dorë.

“Këto janë pikat që u ofrova për marrëveshje. Vendi nuk mund të rrijë peng i 5 qershorit”, reflektoi më tej Gjiknuri.

Sa i takon votës së emigrantëve, për të cilën afatet ende lejojnë rregullimin e ligjit, zbatimi mund të nisë sipas Gjiknurit dhe shpjegoi se socialistët kanë opinionin e tyre për një variant të balancuar, si herësi.

“Ose mund të shkojmë drejt një skeme më të afërt, kushtetuese. Nëse nuk ka dakordësi, do të mbetet regjimi siç është shfuqizuar nga Kushtetuesja, që do të thotë se herësi është zero”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore