Lajme

Veriu i Kosovës: Në periudhën janar-shkurt humbjet nga energjia e konsumuar kalojnë 8 milionë euro


Foto: Albanian Post

Në veri të Kosovës, ku ende qytetarët nuk paguajnë energjinë elektrike, sipas të dhënave të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), për periudhën janar-shkurt, janë shpenzuar, por nuk janë paguar mbi 8 milionë euro.

“Vlera e humbjeve nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës për periudhën janar-shkurt 2023, llogaritet të jetë afër €8.3 milionë”, kanë thënë nga KOSTT-i për Albanian Post.

Përderisa çmimi i energjisë është rritur për 14 për qind në Kosovë, ky operator vazhdon ta ketë obligim mbulimin e shpenzimeve në këtë pjesë.

Por, përveç kësaj KOSTT-i ka mungesë edhe të buxhetit për arsyeje të humbjeve që shkaktohen nga energjia në Veri e që e njëjta më pas nuk paguhet.

“Mbulimi i konsumit të veriut të Kosovës ende ka mbetur si obligim i KOSTT i cili nuk është i përfshirë në tarifat e aprovuara nga ZRrE, dhe si rezultat KOSTT nuk ka buxhet për mbulimin e humbjeve nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, e cila tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale”, sqarohet tutje në përgjigje.

Foto: Albanian Post.

“Këto devijime paraqesin obligime financiare për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese, ndaj ENTSO-E”.

Çmimi i energjisë elektrike është rritur për 14 për qind në Kosovë. Por, kjo shifër s’përbën lajm shqetësues për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Veri.

Rreth 30 mijë banorë në Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, vazhdojnë të mos paguajnë për energjie elektrike derisa për ta paguan Qeveria e Kosovës.

Madje, kriza energjetike asnjëherë nuk i preki katër komunat veriore.

Kjo pasi që borxhet për energjinë elektrike në këto komuna mbulohen nga operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), gjegjësisht nga Qeveria e Kosovës.

Mos faturimi i konsumatorëve të energjisë elektrike në Veri të Kosovës nga ana e KEDS-it nuk është problemi i vetëm me mos qasjen e operatorit të Kosovës në atë pjesë.

Një tjetër, shumë më i rëndësishëm, është mos kontrollimi i nën-stacionit të Vallaçit që gjendet në veri, nga Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Me këtë marrëveshje është synuar që të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës.

Ndër vite, borxhi i veriut për energji ishte paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 ishte marrë vendim që të paguhet nga Qeveria e Kosovës.

Llogaritet se fatura e përgjithshme e konsumatorëve për energji në këtë pjesë shkon deri në 12 milionë euro në vit.

Katër komunat në Veri prapë nuk preken nga rritja e çmimit të rrymës – për banorët atje paguan shteti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore