Lajme

Veprat shumëngjyrëshe prej letre të artistes nigeriane


Për artisten nigeriane Ayobola Kekere-Ekun, sytë janë një mënyrë për të zbuluar të vërtetën e karakterit të dikujt.

“Mund të dallosh shumë nga sytë e një personi. Sytë ofrojnë një dobësi reciproke”, ka treguar ajo.

Duke përzier imazhe fëminore, shumëngjyrëshe, me tema si seksizmi, arti i Kekere-Ekun nuk është krijuar duke përdorur bojë në telajo ose daltë.

Përkundrazi, nga kolazhi i letrave, një proces i njohur si quilling.

Ai daton qindra vjet më parë dhe u praktikua nga murgeshat evropiane që në shekullin e XVI-të, por Kekere-Ekun e gjeti këtë teknikë rastësisht.

Një ditë, teksa po ecte për në shtëpi, asaj iu dha një fletushkë dhe filloi të luante me të.

“Sapo kisha gjetur një mënyrë për të pikturuar pa pikturuar”.

“Kështu që dola menjëherë dhe bleva një tufë letrash. Më pas i preva dhe vazhdova t’i rrotulloja dhe t’i ngjitja në një dërrasë vetëm për të parë se çfarë ndodhte”.

“U bë një lidhje vërtet intensive që u shndërrua në diçka të dashur dhe të qëndrueshme”.

Për të, ky lloj arti, është thjesht një mënyrë tjetër për të treguar historinë.

Krijimi i një vepre arti në këtë mënyrë mund t’i marrë asaj diku nga dy javë deri në shtatë muaj, në varësi të madhësisë dhe shtrirjes së veprës.

Zakonisht procesi nis me një skicë, përpara se të bëhet përfundimisht një skelet i mishërimit të tij të ardhshëm.

Më pas, Kekere-Ekun përdor letër me ngjyrë, shirita dhe pjesë të kanavacave përpara se të përfundojë veprën.

Kekere-Ekun ka lindur dhe është rritur në Lagos, por aktualisht ndodhet në Johannesburg.

I ati punonte si kirurg në Arabinë Saudite, ndërsa nëna e saj hoqi dorë nga puna si administratore spitali për t’u kujdesur për të dhe vëllezërit e motrat e saj.

Arti ishte një magjepsje që në moshë të re, por jo një pasion që do të frymëzonte një karrierë.

Në fillim, arkitektura dukej si rruga më e qëndrueshme për Kekere-Ekun, duke ndjekur gjurmët e xhaxhait të saj.

Megjithatë, aspektet matematikore e larguan dhe ndjekja e artit zuri vend.

Duke eksploruar feminilitetin, punët e saj kanë në qendër gratë me ngjyrë.

Ajo shpreson se puna e saj mund të shkojë përtej paragjykimeve të artit nigerian.

“Dikur ekzistonte ky perceptim shumë stereotipik se si mund të dukeshin artet nigeriane. Nëse do të ishte më abstrakte, do të ishin disa maska. Nëse do të ishte më figurative, do të kishte një skenë tregu. Tani, ka shumë më tepër nuanca”, ka thënë ajo.

Terapia ka qenë gjithashtu e rëndësishme për mënyrën se si ka evoluar puna e saj.

Fillimisht, arti i saj merrej më shumë me çështje sociale dhe politike që e frustronin, por terapia e lejoi atë të shprehej më shumë.

“Mendoj se po mbytesha sepse e kam kaluar gjithë jetën duke përvetësuar gjithçka që më ka ndodhur ndonjëherë. Mendoj se terapia më shpëtoi jetën 100 për qind”.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore