Lajme

Vendimi që Biden t’i bashkohet TikTok-ut ka ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Senatit ka thënë se është i shqetësuar për vendimin e fushatës së presidentit Joe Biden për t’iu bashkuar TikTok-ut.

Të dielën, fushata e rizgjedhjes së Biden përdori Super Bowl për të hapur llogarinë e tij të re TikTok në një përpjekje për të arritur votuesit e rinj përpara zgjedhjeve presidenciale në nëntor.

Nisja e fushatës në TikTok është e dukshme duke pasur parasysh se aplikacioni, i cili është në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë ByteDance, është nën shqyrtim në SHBA për shkak të shqetësimeve të mundshme të sigurisë kombëtare.

Disa ligjvënës amerikanë kanë kërkuar që aplikacioni të ndalohet për shkak të shqetësimeve se qeveria kineze mund të ketë akses në të dhënat e përdoruesve ose të ndikojë në atë që njerëzit shohin në aplikacion.

Senatori demokrat Mark Warner ka thënë se ishte i shqetësuar për implikimet e sigurisë kombëtare.

“Mendoj se ne ende duhet të gjejmë një mënyrë për të ndjekur Indinë, e cila e ka ndaluar TikTok-un”, ka thënë Warner.

“Jam pak i shqetësuar për një mesazh të përzier”, ka shtuar ai.

Po ashtu një numër ligjvënësish republikanë kanë kritikuar vendimin e fushatës për t’iu bashkuar TikTok-ut.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me “shqetësimet e sigurisë kombëtare në lidhje me përdorimin e TikTok-ut në pajisjet qeveritare. Kjo politikë është ende në fuqi”.

Vitin e kaluar, administrata Biden urdhëroi agjencitë qeveritare të heqin TikTok-un nga telefonat dhe pajisjet në pronësi të qeverisë federale.

TikTok-u nga ana tjetër ka pohuar se nuk do të ndajë të dhënat e përdoruesve amerikanë me qeverinë kineze.

Dhe për këtë ka marrë masa thelbësore për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve.

Ndërkohë, nga stafi i fushatës së Bidenit është deklaruar se do të vazhdojnë takimet me votuesit “aty ku ata janë”, duke përfshirë edhe aplikacione të tjera të mediave sociale si Instagrami dhe Truth Social, i cili u themelua nga ish-presidenti Donald Trump.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore