Lajme

Vela kërkon nga Vuçiç-i lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës


Shefi i stafit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela

Shefi i stafit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela pas vendimit që tre policët e Kosovës të dërgohen në paraburgim ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç që lirimi i tyre të bëhet menjëherë.

Këtë kërkesë Vela e ka bërë përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’.

“Mediat e regjimit të saj e kanë portretizuar gabimisht ‘sulmin terrorist’ si shkak të rrëmbimit të policëve të Kosovës. Tani, gjykata në Kraljevë i akuzon ata për armëmbajtje pa leje. Vuçiq duhet të lirojë menjëherë oficerët”, thotë ai.

Tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe më 14 qershor, iu është shqiptuar masa e paraburgimit.

Këtë vendim e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë. Sipas njoftimit, tre policët dyshohet se kanë kryer veprën penale “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse”.

Por, që aktualisht nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.

Kapja e tyre vazhdon të ketë dy interpretime, sepse ndryshe nga Kosova që i konsideron të kidnapuar, Serbia ka thënë se ata janë të arrestuar meqë janë futur brenda territorit të Serbisë.

Pasi KFOR-i nuk ka dal me një version të vetin, që do të konstituonte edhe versionin e pranueshëm nga bashkësia ndërkombëtare, tashmë varësisht se kush flet për rastin përdorë edhe termin kidnapim ose arrestim.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare në komunën e Leposaviqit në Kosovë.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë. Pas këtij veprimi, Kosova ka ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave në Kosovë.

Kurti viziton familjet e tre policëve të rrëmbyer nga Serbia: Jemi në kontakt me institucionet atje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore