Kosova

Vejvoda: Kosova dhe Serbia të zmbrapsen nga qëllimet e tyre maksimaliste


Ivan Vejvoda

Për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, sipas Ivan Vejvoda, nga Instituti për Shkencat Humane në Vjenë, duhet të ketë kompromis.

Në vlerësimin e tij si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zmbrapsen nga qëllimet e tyre maksimaliste.

Për Vejvodan reagimet për këtë çështje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë qenë befasuese.

“Sipas tyre, vendimi nuk ishte i përgatitur mirë, nuk ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të, dhe nuk ishin ndërmarrë masa për periudhën e tranzicionit. Andaj, mendoj se në këtë rast, barra e përgjegjësisë është më shumë mbi Prishtinën. Negociatorët ndërkombëtarë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje që do të siguronte një tranzicion të qetë, e ku, padyshim, duhet të përfshihet edhe pala serbe”, është shprehur ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Duke folur për vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, Vejvoda ka theksuar se vonesat në këtë çështje nuk i kanë ndihmuar imazhit të Kosovës.

“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ishte në pritje tash e tetë vjet. Të gjithë partnerët i kanë kërkuar Kosovës që ta zbatojë dhe është bërë një kusht i madh për Kosovën që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Pra, ka qenë çështje e kohës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore