Kosova

Vdes një minator brenda kompleksit industrial “Trepça”


Foto: Reuters.

Një punëtor i minierës “Trepça” ka vdekur në vendin e tij të punës.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Sot, rreth 07:00, Policia ka pranuar informatën se në vendin e tij të punës brenda kompleksit industrial “Trepça” është gjetur pa shenja jete viktima mashkull 58 vjeçar”.

Ai tutje ka thënë se hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar.

“Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se viktima ka rënë nga një lartësi e objektit. Hetuesit policor me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për identifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të rastit. Me urdhër prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, tha Zahiti për AP.

Në Kosovë siguria në punë rregullohet me dy ligje

Në aspektin legjislativ në Kosovë sigurinë në punë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e Punës dhe me Ligjin për Siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë.

Gjithashtu, punëdhënësi detyrohet ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë, në të kundërtën, shqiptohen gjoba nga 5 mijë euro deri në 35 mijë euro.

Në raportin e punës të Inspektoratit të Punës për vitin 2020, vetëm në sektorin e ndërtimit, vitin e kaluar kanë ndodhur 30 aksidente. Për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, në përgjithësi, inspektorati ka shqiptuar masën e gjobës ndaj 115 punëdhënësve, prej tyre 45 gjoba vetëm në sektorin e ndërtimit.

Rreziqet në sektorin e ndërtimtarisë që kushtojnë me jetë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore