Lajme

Vaksinat, prioritet për kryetaren e shtetit


Presidentes së re të vendit, Vjosa Osmani, në vizitë i shkoi edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi.

Temë kryesore e bisedës në këtë takim të së hënës ishte përpjekja për të siguruar vaksinat për qytetarët e Kosovës.

“Në kohën e thellimit të krizës globale me pandeminë COVID-19, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të sigurojmë vaksina për qytetarët tanë. Ky është prioritet mbi prioritetet për ne. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i jetës së tyre është përkushtimi ynë i çdoditshëm”, ka thënë presidentja Osmani.

Tutje, në njoftimin për media thuhet se Osmani dhe ambasadori Minxhozi kanë diskutuar për mundësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe qarkullimin e lirë dhe thellimin e raporteve kulturore, ekonomike dhe politike.

Minxhozi, pasi i uroi Osmanin për zgjedhjen e saj si presidente, “e siguroi atë se shteti shqiptar do ta vazhdojë përkrahjen e mëtejme për Kosovën”.

“Ne duhet të krijojmë politika të cilat e lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja vendeve”, ka thënë ai.

Ndërkohë në po të njëjtën ditë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në zyrën e tij ka pritur Ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj.

“Ambasadori Bertoncelj theksoi se gjatë presidencës së ardhshme të Bashkimit Evropian, që fillon në korrik, një ndër prioritetet e Sllovenisë do të jetë Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi i BE-së, dhe se Sllovenia do të mbështesë Kosovën në synimet e saj për integrim euro-atlantik”, thuhet në njoftimin nga zyra e kryeministrit.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Kurti “ka vlerësuar faktin që Sllovenia do të udhëheqë me presidencën e BE-së dhe mirëpret vullnetin për angazhimin e Sllovenisë lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare”.

“Përkushtimi për thellim të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe zhvillimor mes Kosovës dhe Sllovenisë është i dyanshëm”, u tha në fund të takimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore