Kosova

Ushtarët e FSK-së kthehen nga Turqia, Kurti i nderon me medalje


Pas dy javësh që kaluan në Turqi, për të ofruar ndihmën e tyre pas tërmetit të tmerrshëm që ndodhi atje ku vdiqën 41 mijë persona, pjesëtarët e Forcave te Sigurisë së Kosovës janë kthyer në Kosovë, derisa janë nderuar me medalje nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Kemi dalë këtu që të ju dëshirojmë mirëseardhje dhe të ju falënderojmë nga zemra për punën dhe guximin. Andaj, këto medalje të merituara janë dëshmi e vëmendjes tonë, dëshmi e mirënjohjes tonë për guximin e treguar në republikën e Turqisë, pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës”, tha Kurti.

Ai ka theksuar se “e dimë që së paku katër jetë janë të shpëtuar nga ju, por janë edhe mbi 50 kufoma janë nxjerr nga rrënojat në Hatay”.

“Është obligim i yni humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyrë e jona si partnerë, si aleat dhe si shtet e popull mik i Turqisë, që të ju gjendemi atyre në ndihmë atyre në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht nëpërmjet jush – të cilët pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve për Turqi dhe më pastaj qëndruat deri më tani duke u përpjekur me krejt çka mundeni dhe dini që të shpëtoni jetë, ti nxjerrin njerëzit nga rrënojat, fatkeqësisht në shumicën e rasteve ata të vdekur, por njëkohësisht të kujdeseni edhe për ata të cilët kishin nevojë”.

Mbarë bota u trondit nga bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, për shkak të tërmetit, ku mbi 46 mijë persona, kanë mbetur të vdekur në total.

Vetëm në Turqi, bilanci aktual ka shkuar në 41 mijë viktima dhe puna kërkimore në shumicën e provincave, është përmbyllur.

Situatë tepër e rëndë është edhe ajo në Siri, ku 5 mijë e 700 persona janë raportuar se kanë humbur jetën nga tërmeti. Por, ky bilanc, prej disa ditësh nuk ndryshon dhe nuk bëhet me dije nëse operacionet në rajonet veriore të Sirisë vijojnë ende apo jo.

Për dy javë të plota, mbi 100 mijë ekspertë të kërkim-shpëtimit, përfshi edhe ata nga 95 vende të botës, të cilët erdhën menjëherë në ndihmë për Turqinë, u angazhuan në misione në vende të ndryshme.

Të prekur ndërkaq nga tërmeti, vetëm në Turqi janë 13.5 milionë njerëz, të cilët jetojnë në një rreze prej 450 kilometrash nga epiqendra, duke përfshirë rajone të mëdha si Adana, apo Diyarbakir e Hatay.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore