Sport

Urgjenca për një mbrojtës, Liverpool rikthen nga huazimi futbollistin e tyre


Liverpool po përballet me dëmtime të shumta të futbollistëve në këtë sezon, sidomos në repartin e mbrojtjes.

Skuadra e Jurgen Klopp së fundmi ka humbur edhe liderin e mbrojtjes, Virgil Van Dijk.

Parashikimet paraprake janë që Van Dijk të qëndrojë jashtë fushave të lojës për të paktën një muaj dhe kjo ka detyruar drejtuesit e klubit të ndërhyjnë për të kthyer nga huazimi mrbojtësin e tyre, Rhys Williams.

Mbrojtësi 22-vjeçar ishte në huazim te skuadra e Blackpool (luan në Championship) ku ka luajtur si titullar për 17 ndeshje, por tani do të rikthehet në “Anfield Road”, për të plotësuar numrin e mbrojtësve, në pritje që Virgil Van Dijk të rikthehet.

Williams është rritur në akademinë e “The Reds” dhe në sezonin 2020/21, kur Van Dijk qëndroi për shumë muaj i dëmtuar, zbriti në fushë plot 19 herë me fanellën e klubit të tij.

Përveç dëmtimit të futbollistëve, Liverpool nuk është duke kaluar në formë të mirë, të cilët momentalisht pozicionohen në vendin e nëntë në tabelë me 29 pikë, 10 më pak se Manchester United në zonën Champions.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore