Lajme

Ultra-nacionalisti serb: Vuçiç do të nënshkruajë kapitullimin – Rusia do të na shpallë armik


Boshko Obradoviç

Kryetari i Lëvizjes Serbe me elemente ultra të djathta “Dveri”, Boshko Obradoviç, tha se është i bindur që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjithnjë e më shumë po ia kthen shpinën Rusisë dhe se do të nënshkruaj propozimin evropian që nënkupton “kapitullimin e Serbisë”.

“Gjëja e vetme që ka mbetur është vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë nën presionin e Perëndimit, në mënyrë që marrëdhëniet tona të ndërsjella të shkojnë në një drejtim krejtësisht të dëmshëm. Rusia do të na shpallë një vend armik dhe ne rrezikojmë forma të shumta të bashkëpunimit ekonomik dhe energjetik”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se fakti që aktualisht është më e rëndësishme për Perëndimin që qeveria serbe të pajtohet me “kapitullimin në formën e marrëveshjes franko-gjermane për Kosovën” nuk do të thotë se Perëndimi nuk do të rrisë njëkohësisht presionin për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

“Jemi dëshmitarë të përgatitjeve mediatike për vendosjen e sanksioneve në formën e akuzës se Rusia qëndron pas demonstratave në Beograd, sipas modelit të NATO-s të Milo Gjukanoviç-it, i cili në një kohë në Mal të Zi akuzoi Rusinë se qëndron pas çdo rezistence ndaj autoriteteve”, tha Obradoviç.

Ndryshe, një konglomerat e partive me elemente ultra nacionaliste, siç janë ato Dveri, Zavetnici, Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë, Partia e Re Demokratike, kanë nisur fushatën e tyre kundër planit franko-gjerman.

Fushata e tyre, sipas mediave serbe, nuk është vetëm kundër propozimit të Bashkimit Evropian i cili ka për synim normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kundër pushtetit aktual në Serbi.

Prandaj, kreu i Dveri-it, iu bëri ftesë “të gjithë patriotëve serbë të bashkohen në një rezistencë edhe më të fortë ndaj synimeve gjithnjë e më të hapura të qeverisë për të bërë këto dy gabime kardinale në interes të shtetit dhe popullit serb”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, do të takohen me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, në Bruksel me 27 shkurt me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e “Marrëveshjes Bazë” të mbështetur në propozimin franko-gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore