Aplikacione

Ulet presioni i pëlqimeve në Instagram


Media sociale, Instagram, sjell për përdoruesit e aplikacionit mundësinë për të fshehur numrin e pëlqimeve që ata grumbullojnë te postimet që kryejnë.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se qëllimi i kësaj lëvizjeje të medias sociale ka qenë për të “ulur presionin në përvojën e njerëzve” në platformë.

Tanimë, me aktivizimin e funksionit të ri, përdoruesit do të mund të shohin vetëm emrin e një ndjekësi që ka pëlqyer postimin dhe “të tjerët”. Kjo duke zëvendësuar numrin e atyre që kanë pëlqyer këtë postim.

Edhe pse funksioni është testuar që në vitin 2019 në disa vende, kësaj radhe po hapet globalisht.

“Kjo ka zgjatur më shumë nga sa kisha shpresuar, por jam mjaft i ngazëllyer…duke u dhënë njerëzve më shumë kontroll mbi përvojën”, ka thënë për BBC shefi i Instagram-it, Adam Mosseri.

Shëndeti mendor i përdoruesve

Bazuar në testimin dhe hulumtimin e realizuar nga Instagram-i, heqja e pëlqimeve kishte pak ndikim në sjellje ose mirëqenien e përdoruesve. Kjo pasi kishte shqetësime se përdorimi i platformës mund të lidhej me pasiguri dhe shëndet të dobët mendor.

Madje, një studim i fundit nga Instituti i Internetit i Oxford-it, ka zbuluar se ka “pak lidhje” midis përdorimit të mediave sociale dhe shëndetit mendor të adoleshentëve.

Mirëpo, Mosseri është shprehur se Instagram-i e prezantoi funksionin e ri për t’i bërë njerëzit “të ndjehen mirë” për kohën që kalojnë në platformë.

“Mendoj se ka më shumë për t’u bërë në këtë hapësirë. Sa më shumë që t’u japim njerëzve aftësinë për të formësuar Instagram-in në atë që është më e mira për ta, aq më mirë është”, ka shtuar ai.

Aktivizimi i funksionit

Për sa i përket fshehjes së pëlqimeve, kjo karakteristikë e re e Instagram-it mund të aktivizohet e çaktivizohet në çdo kohë.

Mjafton të shkohet te “Settings”, të realizohet hyrja te seksioni i ri i postimeve dhe në fund të zgjidhet “Hide Like and View Count”.

Nga ana tjetër, nëse një nga përdoruesit e ka të aktivizuar opsionin “Like Count”, ai nuk do të jetë në gjendje të shohë numrin e pëlqimeve në llogaritë apo në ato postime që mbajtësi i tyre i ka bërë pëlqimet të fshehta.

Përdoruesi ka edhe mundësinë për t’i fshehur pëlqimet apo shikimet në një postim specifik, para ose pasi të shkojë “live” në platformë.

Pakësim shqetësimi

Mosseri është shprehur se kjo karakteristikë e re është që t’ju japë njerëzve një zgjedhje. Kjo pasi ata kanë mundësinë që t’i rikthejnë ose jo pëlqimet dhe shikimet e postimeve sipas dëshirës së tyre.

Por, kjo lëvizje e Instagram-it nuk është lënë në heshtje. Mosseri ka pranuar se ka pasur reagime “të polarizuara” nga llogaritë e krijuesve, të cilët marrin të ardhura nga partneritetet me markat duke realizuar reklama për ta. Por, kjo karakteristikë nuk do i ndikojë të ardhurat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore