Shqipëria

U pezullua nga PD-ja, reagon Shehu: Veprimi i Bashës është antisatutor


Deputeti nga radhët e demokratëve, Tritan Shehu, mesditën e 11 janarit, ka reaguar për pezullimin e tij nga Partia Demokratike (PD).

“Nuk ka Këshill Kombëtar, ka Kuvend Kombëtar dhe Komision të Rithemelimit”, tha ai, duke e cilësuar si “antistatutor” vendimin e Kryesisë së PD-së.

“Do të ketë një Kuvend në muajin mars dhe, për momentin, ka vetëm dy institucione në PD”, u shpreh ai.

Në një intervistë për mediat, deputeti deklaroi se do të vijojë të shkojë në mjediset e selisë blu, pasi “është selia e demokratëve”.

“Unë mendoj që do shkojmë dhe ajo godinë do u jepet demokratëve dhe do jetë e hapur për të gjithë”, tha ai.

Gjithashtu paralajmëroi se “do të përdoren të gjithë mjetet demokratike që të realizohet qëllimi”.

“Do të ketë shumë shpejt zhvillime, ndoshta çështje ditësh”, ritheksoi Shehu.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë së forcës politike gjatë mbrëmjes së 10 janarit, ka vendosur ta përjashtojë nga Partia Demokratike ish-kryetarin dhe bashkëthemeluesin e saj, Sali Berisha, së bashku me shtatë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Mbledhja e kryesisë ka mbaruar në orët e para të mëngjesit, sipas burimeve të Albanian Post pranë kampit demokrat.

Një seri emrash gjithashtu janë pezulluar përkohësisht nga organet e demokratëve.

Ndër këta të fundit bëjnë pjesë emra të rëndësishëm, si: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Edi Paloka, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi apo Tritan Shehu.

Kjo lëvizje e Bashës dhe kryesisë së demokratëve, është edhe ajo më drastike, pas protestës së zhvilluar nga Berisha dhe mbështetësit e tij më 8 janar në selinë blu.

Duket se kreu dhe strukturat e PD-së nuk e kanë toleruar mësymjen e godinës nga ish-kryeministri i vendit, ku u dëshmuan skena dhune e vandalizmi, deri në ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, e cila pastroi zonën dhe i shpërndau demonstruesit.

Vendimi po ashtu vjen thuajse ekzaktësisht katër muaj, pasi Basha e pezulloi Berishën nga Grupi Parlamentar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore