Kosova

U kritikua nga Aliu për anim në zgjedhjet në Luginë, Kurti: Unë flas se kush duhet mbështetur në BE e SHBA, e lëre më në Ulqin e Preshevë


Ilustrim: Albin Kurti dhe Liburn Aliu

Pas kritikave të Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili e konsideroi si gabim përfshirjen e kryeministrit, Albin Kurtit në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën në Preshevë e Bujanoc, i pari i Qeverisë, në një prononcim për media tha se partia të cilën ai e drejton pjesë e të cilit është edhe Aliu, “ka qëndrime të qarta dhe i merr vendimet në organet e veta”.

Pas Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, Kurti u përfshi drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale edhe në Luginë të Preshevës, e sipas tij mbështetja hapur e partive në rajon është një qasje “shumë e mirë”.

“Ju e dini që unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Evropian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e lëre më në Ulqin e Preshevë. Të gjitha partitë në Kosovë dhe në Shqipëri në një mënyrë tjetër, kush më shumë e kush më pak, mbështesin kandidat të caktuar, por unë e bëjë këtë hapur, nuk e bëj vetëm në terren, por e bëjë publikisht, edhe besoj që kjo është shumë mirë”, tha ai.

Aliu në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, të hënën vlerësoi, si jo të duhur përfshirjen e Kurtit duke e përkrahur vetëm një parti politike në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën në Preshevë dhe Bujanoc, derisa shtoi se “Kurti duhet të jetë përbashkues”.

“Nuk ka qenë mirë që është mbështetur vetëm një subjekt politik, edhe pse po të kisha të drejtën e votës do ta kisha votuar Ardita Sinanin. Nga pozicioni i Prishtinës do të duhet të jemi më të kujdesshëm karshi qytetarëve në atë pjesë, pasi janë në një situatë shumë delikate, është i domosdoshëm uniteti mes subjekteve politike atje”, tha Aliu gjatë një interviste në RTK.

Aliu kundër Kurtit: Ka qenë gabim animi i Qeverisë për zgjedhjet në Luginë, të rregullohet sa më parë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore