Teknologji

Twitter do të përjashtojë nga platforma personat “anti-vaxxers”


Twitter ka lajmëruar se do përjashtojë nga platforma përdoruesit, që në mënyrë të përsëritur, postojnë dezinformata rreth vaksinave të Covid 19.

Faqja e medias sociale njoftoi gjithashtu dhe një plan, i cili do të informojë përdoruesit në lidhje me pretendimet e rreme të vaksinave Covid 19. Që këtej e tutje, këto lloj informacionesh do të etiketohen në “tweets”-et e platformës.

Postimet e rreme do të vlerësohen nga persona realë, si dhe mekanizma kompjuterikë.

Përdoruesit, që postojnë shpesh informacione të pavërteta, do të pezullohen për më shumë se shtatë ditë. Ata që do të marrin më shumë se pesë “strikes” (goditje), do të përjashtohen përgjithmonë nga Twitter.

“Ndërsa autoritetet shëndetësore vijojnë programet e vaksinimit në të gjithë botën, ne do të vazhdojmë të shpërndajmë informacionin më aktual, të azhornuar dhe me më autoritet”, tha kompania në një njoftim.

Nga ana tjetër, numri i amerikanëve që thonë se, janë të gatshëm të bëjnë vaksinën, është duke u rritur

Megjithatë, 15% e tyre kanë deklaruar se “në asnjë rast” nuk dëshirojnë të vaksinohen, sipas një studimi të fundit të Fondacionit Kaiser Family. Ndërkohë, imunologu amerikan, Anthony Fauci, ka shprehur se, për të arritur imunitetin e tufës, është i domosdoshëm vaksinimi i 90% të popullsisë.

Hezitimi i vaksinave, thuhet se mund të burojë pjesërisht nga informacione të rreme të shpërndara në internet. Mjekët amerikanë thanë se “anti-vaxxers”, ose njerëzit që dekurajojnë të tjerët për t’u vaksinuar, përdorën platformat sociale Twitter dhe Facebook për të përhapur pretendime e tyre.

Twitter ndërkohë flitet të ketë fshirë një numër të lartë dezinformatash. Që prej pranverës së kaluar, kompania filloi t’u kërkonte përdoruesve të fshijnë “cicërimat” që mohojnë udhëzimet e ekspertëve për Covid-19.

Megjithatë, ajo dështoi në parandalimin e tyre. Rreth 2 milionë “cicërima” përhapën teori konspirative, menjëherë pasi rastet e virusit u identifikuan jashtë Kinës, sipas një raporti të pabotuar të Departamentit të Shtetit të marrë nga The Washington Post.

Po ashtu në vitin 2019, CEO i Twitter, Jack Dorsey ishte i ftuar në një podcast të një personaliteti fitnesi, i cili përhapi dezinformata të vaksinave në audiencën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore