Lajme

Trump mendon se do të arrestohet të martën


Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, mendon se ai do të arrestohet të martën, lidhur me një çështje ku i ka paguar një shumë parash një ish-pornostareje, për të mos folur para ligjit mbi Trumpin.

Në një postim në platformën e tij sociale “Truth Social”, ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të mos e lejojnë diçka të tillë të ndodhë.

Sipas një prej përfaqësuesve ligjorë ndërkaq, është bërë me dije se këto dyshime, lindin prej raportimeve në media, ku thuhet se ai do të arrestohet javën e ardhshme.

Nëse vërtetë kjo gjë ndodh, atëherë ai do të kthehet edhe në presidentin e parë amerikan, i cili arrestohet për një çështje kriminale.

Gjithashtu, kjo do t’i vinte edhe vulën kandidimit të tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ku ai ka shpallur zyrtarisht qëllimin për të qenë në betejën elektorale.

Prej pesë vjetësh, hetuesit në New York e kanë hetuar çështjen e dhënies së parave në këmbim të heshtjes, nga ana e Trump, lidhur me ish-aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels.

Ai i ka paguar asaj një shumë të majme parash, për të mbajtur të fshehtë lidhjen e tyre seksuale, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, sipas akuzës.

Shuma e dhënë ka qenë prej 130 mijë dollarësh dhe kjo çështje, është ndër të shumtat ku ish-presidenti është i përfshirë.

Së fundmi, sipas një hetimi nga Kongresi amerikan, ai ka përfituar dhurata në shumën prej 250 mijë dollarëve përgjatë katër viteve të mandatit të tij, në formën e dhuratave nga shtete të huaja.

Ndër këto dhurata, ka pasur edhe thika me vlerë 25 mijë dollarë, apo shkopinj golfi tejet të shtrenjtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore