Lajme

Tronditet Gjermania/ 44-vjeçari hiqej si dado, abuzoi seksualisht me fëmijë dhe foshnja


Një incident i abuzimit me fëmijët në përmasa të papërshkrueshme ka dalë në dritë në Këln të Gjermanisë. Hetuesit janë shokuar nga gjithçka kanë zbuluar.

Shefi i policisë së Këlnit, Falk Snaber, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se ndihet i tronditur dhe i befasuar nga hetimi njëmujor i një tjetër skandali të abuzimit seksual me fëmijët dhe pornografisë së fëmijëve, i cili tejkalon të gjitha kufijtë e imagjinatës.

“Unë kurrë nuk kam hasur në një nivel të tillë barbarie çnjerëzore dhe indiferencë ndaj vuajtjeve të fëmijëve të vegjël, dhimbjes dhe britmave të tyre dhe frikës së tyre të dukshme. Kurrë nuk mund ta imagjinoja këtë”, u shpreh ai.

Ky është një tjetër rast i abuzimit seksual të fëmijëve në shtetin e Nordrhein-Westphalia, por me tipare të paprecedentë.

I pandehuri kryesor është një 44-vjeçar nga qyteti Vermelskirchen i shtetit gjerman.

Sipas prokurorit të çështjes, 44-vjeçari ishte i martuar dhe pa fëmijë. Ai ofronte shërbime të kujdesit të fëmijëve në internet dhe kështu kishte akses te viktimat e tij.

“Për sa i përket mënyrës se si i akuzuari ka pasur kontakt me fëmijët, mund t’ju informoj se, nga njëra anë, fëmijët kanë ardhur nga mjedisi i tij i afërt, dhe nga ana tjetër, kjo ka të bëjë me shumicën dërrmuese të fëmijëve të dhunuar”.

Prokurori ka shpjeguar se “I akuzuari ka mashtruar nëpërmjet internetit se ishte kujdestar fëmijësh. Më pas, ai i ka kryer aktet në ambientet e familjes”.

Vlen të përmendet se prindërit e këtyre fëmijëve nuk dyshonin aspak se çfarë po ndodhte në shtëpinë e tyre.

Edhe viktimat, tashmë të rritur, janë tronditur kur mësuan nga hetuesit se ishin abuzuar seksualisht në fëmijëri, pasi aktet e 44-vjeçarit datojnë që në vitin 2005.

Fëmijët u qetësuan që të mos bërtisnin

Përshkrimet e veprimeve të tij tronditin edhe zyrtarët e organeve hetimore që kanë trajtuar shumë raste të ngjashme.

Viktima më e vogël ishte një foshnjë njëmuajshe, mes të cilëve edhe pesë foshnja të tjera – foshnja dhe fëmijë me aftësi të kufizuara.

Gjithsej, 33 viktima janë zbuluar deri më tani.

Hetuesit kanë shtuar se, fantazitë e dhunshme të të akuzuarit, i cili ka pranuar veprimet e tij, janë të pamundura për t’u zbardhur në letër.

Siç u bë e ditur në konferencën për shtyp, në materialin pornografik me vëllim të madh që u gjet në kompjuterin e tij, janë regjistruar “përdhunimet më brutale të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël”.

Ka të dhëna se, në disa raste, fëmijët u qetësuan për të mos bërtitur. Deri më tani është vlerësuar vetëm 10% e materialit të ruajtur dhe ka shumë gjasa që numri i viktimave të abuzimit të vazhdojë të rritet.

Policia ka gjetur gjurmët e 73 të dyshuarve të tjerë, shumica prej tyre prindër, të afërm, fqinjë, vëllezër, madje edhe prindër e gjyshër të të akuzuarve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore