Lajme

Trajkoviç për aksionin në Shtërpcë: Të gjithë zyrtarët e Radoiçiçit dhe Veselinoviçit janë arrestuar


Rada Trajkoviç

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç pas aksionit të Policisë së Kosovës në Komunën e Shtërpcës ka thënë se të arrestuarit ishin të përzgjedhurit e nënkryetarit të Listën Serbe, Milan Radoiçiç, i cili ditë më parë është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Trajkoviç është shprehur për mediumin serb Danas, se Kosova ka filluar të ndjekë kriminelët, pa dallim etnie.

“Pak para zgjedhjeve lokale në Kosovë, një numër i madh i ish-kryetarëve të komunave nuk kanë mundur të ri-kandidohen për shkak se akuzohen si kriminelë”.

“Kjo na tregon se liderët e Listës Serbe me shumë gjasa janë vëzhguar për një kohë shumë të gjatë sa i përket dyshimeve për veprat penale që i kanë kryer në institucione”, ka thënë ajo.

Politikania serbe nga Kosova, tutje ka deklaruar se ajo çfarë ndodhi në Shtërpcë të martën e 21 dhjetorit, në fakt ishte diçka që pritej nga qytetarët e vendit, pasi që shumë projekte janë shfrytëzuar në interes të zyrtarëve të caktuar.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe nëntë zyrtarë të tjerë janë arrestuar.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë se një pjesë e aksionit, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, është kryer edhe në Prishtinë.

Rada Trajkoviç, konsideron se këto arrestime do t’i ndihmojnë më së shumti serbët që ta largojnë strukturën që keqpërdori me para të mëdha, dhe se Lista Serbe do të duhet të gjejë mënyra për të ndihmuar në këtë çështje, për të ndjekur penalisht njerëzit e inkriminuar.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari bashkë me prokurorin e çështjes, Rasim Maloku, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, kanë dhënë detaje për aksionin e zhvilluar të martën në komunën e Shtërpcës.

Në konferencë për media është bërë e ditur se nga ky aksion janë vënë në pranga dhjetë persona, teksa janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera: dollarë, franga zvicerane, lekë.

Përveç kësaj në konferencë u bë e ditur se janë sekuestruar edhe “tetë vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri, telefona etj”.

Kryeprokurori Jashari deklaroi se gjatë aksionit janë bastisur 11 lokacione, në Ferizaj, Prishtinë dhe Shtërpcë.

“Janë sekuestruar para, armë vetura, dokumente. Janë bastisur dy zyre të Kuvendit Komunal të Shtërpcës; ajo e Katastrës dhe Urbanizmit. Janë ndaluar ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Drejtori i Gjeodezisë dhe Urbanizimit, Inspektorë komunal, pronarë të kompanive të ndërtimit, disa qytetarë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare marrje dhe dhënie të ryshfetit”, ka thënë Jashari.

Ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç i arrestuar gjatë aksionit të Policisë.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka komentuar pas aksionit të Policisë.

Ai ka thënë se nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara, por krimin dhe shkelësit e ligjit.

“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”, ka shkruar në rrjetini social Facebook ministri Sveçla.

Ai është zotuar Ministria e Punëve të Brendshme nën menaxhimin e tij së bashku me Policinë e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të përkushtuar për ofrim të sigurisë, rendit dhe ligjit për qytetarë e Kosovës, kurse për shkelësit e ligjit Sfeçla ka thënë se “do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”.

Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore