Sport

Tottenham nënshkruan me Danjuma-n, Milan-i mbetet favorit për transferimin e Zaniolo-s


Tottenham-i e ka transferuar sulmuesin anësor të Villarreal-it, Arnaut Danjuma.

Ky i fundit mbërriti në Londër si huazim gjashtë-mujor, derisa Spurs e kanë të drejtën e blerjes në fund të sezonit.

Në këtë mënyrë, londinezët i hapin rrugë Milan-it për transferimin e sulmuesit të Romës, Nicolo Zaniolo-n.

Ky i fundit nuk do të qëndrojë te Roma, derisa në garë për të ishin pikërisht skuadra e Tottenham-it dhe e Milan-it.

Spurs ishin më në avantazh për ta transferuar italianin, pasi që oferta e tyre ishte më e kënaqshme për Romën, se sa ajo e Milan-it.

Tani kuqezinjtë do të duhet të vendosin nëse duan të bëjnë një ofertë konkrete për Zaniolo-n përpara mbylljes së afatit kalimtar të këtij muaji.

Te Roma janë të interesuar vetëm për kushte përfundimtare dhe duan një marrëveshje të plotë ose një hua me një detyrim blerje.

Nga ana tjetër, propozimi i Milan-it është huazim deri në fund të sezonit me të drejtë blerje.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme të janarit, por ajo çka është e sigurtë, është se Zaniolo do të largohet nga kryeqytetasit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore