Sport

Tjetër futbollist i Juventus-it mund të largohet sikurse Dybala


Juan Cuadrado është një nga futbollistët që i përfundon kontrata me Juventus-in në korrik të këtij viti, por për momentin drejtuesit e klubit bardhezi nuk i kanë ofruar ende rinovimin.

Mediat në Itali raportojnë se pavarësisht vonesës, drejtuesit e klubit të Juventus-it do t’ia ofrojnë rinovimin kontratës Cuadrado-s, pasi që nuk dëshirojnë ta humbasin me parametra zero.

Mirëpo, siç shkruhet nga mediat italiane, kontrata e re që do t’i ofrohet kolumbianit do të jetë deri në verën e vitit 2024 dhe me një pagë dukshëm më të ulët.

Aktualisht 33-vjeçari përfiton 5 milionë euro në sezon, ndërsa me kontratën e re Cuadrado do të përfitojë 2.5 milionë euro.

Pra, për ta vazhduar karrierën në “Juventus Stadion”, ai duhet ta pranojë këtë kontratë me pagë të përgjysmuar.

Në të kundërtën, “zonja e vjetër” do ta humbiste atë me parametra zero, njëjtë sikurse ndodhi edhe me Paolo Dybala-n para pak javësh.

Kujtojmë që Cuadrado është pjesë e bardhezinjve që nga viti 2015, kur u transferua nga Chelsea për shumën e 20 milionë eurove.

Deri më tani, kolumbiani ka realizuar 262 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e Juventus-it, prej të cilave ka shënuar 24 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore