Sport

Tirana nxirret në shitje nga përmbarimi


Klubi i Tiranës, në futboll, është nxjerrë zyrtarisht në shitje nga përmbarimi, i cili ka hedhur në ankand 66 për qind të aksioneve, të mbajtura nga Refik Halili.

Aksionet e shumicës, pra 66 për qind, të bardheblueve janë nxjerrë në shitje dhe pronari i ri pritet të zyrtarizohet brenda pak ditësh.

Detyrimet ndaj palëve të treta kanë bërë që aksionet e familjes Halili të bllokohen nga një zyrë përmbarimore, e cila edhe i ka nxjerrë në shitje.

Ankandi për aksionet e plota do të mbyllet më 22 prill. Vlera fillestare e tyre është 161 milionë lekë.

Tirana ka disa gjyqe të humbura ndaj ish-futbollistëve të cilët nuk janë paguar. Madje, FIFA ka bllokuar merkaton e bardheblueve për këtë çështje.

Vendimi më i fundit kundër Tiranës ishte nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit për një gjyq të humbur ndaj ish-trajnerit, Orges Shehi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore