Lajme

Tesla nën hetim për problemin e ‘frenimit fantazmë’


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, organet qeveritare janë duke hetuar raportimet për frenimin e papritur të makinave Tesla në autostrada.

I ashtuquajtur “frenim fantazmë”, problemi është duke u shqyrtuar nga rregullatori amerikan, Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA).

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se rregullatori ka marrë 354 ankesa në nëntë muajt e fundit dhe hetimi i saj do të mbulojë rreth 416 mijë automjete Tesla Model 3 dhe Model Y të viteve 2021-2022.

Sipas drejtuesve, problemi ndodh duke përdorur sistemin e ndihmës së shoferit të quajtur Autopilot.

Ky funksion i jep automjetit kontrollin mbi disa elementë të frenimit dhe drejtimit gjatë vozitjes. Por ai nuk është një zëvendësim për një shofer njerëzor.

Prandaj dhe Tesla i ka rekomanduar drejtuesit të qëndrojnë vigjilentë dhe të mbikëqyrin automjetin, duke vënë në dukje se sistemi Autopilot “nuk e bën automjetin autonom”.

Momentalisht, kompania ndodhet nën hetim nga NHTSA-ja për dy çështje të tjera.

Në dhjetor 2021, Tesla çaktivizoi funksionin Passenger Play që lejonte lojërat të luanin në ekranin me prekje teksa makina ishte në lëvizje, duke çuar në një hetim të hapur që mbulonte rreth 580 mijë automjete.

Kurse gushtin e kaluar, NHTSA-ja nisi të shqyrtojë rolin e sistemit Autopilot në 11 aksidente që përfshinin automjete emergjente, duke mbuluar rreth 765 mijë makina Tesla.

Nga ana tjetër, Zyra e Hetimit të Defekteve e NHTSA-së (ODI) ka filluar një “vlerësim paraprak” të Tesla-s mbi ankesat.

Ndryshe, kjo është faza përpara se agjencia të mund të lëshojë zyrtarisht një tërheqje të automjeteve.

Sipas zyrës, nuk ka pasur përplasje, të lënduar apo viktima si pasojë e incidenteve.

“Ankesat pretendojnë se teksa përdoren veçoritë ADAS, duke përfshirë kontrollin adaptiv të lundrimit, automjeti frenon papritur frenat e tij gjatë vozitjes me shpejtësi autostrade”, ka treguar raporti.

Gjithashtu ka nxjerrë se “ankuesit raportojnë se ngadalësimi i shpejtë mund të ndodhë pa paralajmërim, në mënyrë të rastësishme dhe shpesh në mënyrë të përsëritur në një cikël të vetëm drejtimi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore