Shqipëria

Terapi falas për çdo grua me dyfishimin e buxhetit për barnat onkologjikë, thotë Manastirliu


Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka zhvilluar aktivitetin ndërgjegjësues në Sheshin Skënderbej “Vrapo për Jetën”, për të rritur ndërgjegjësimin për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

“Muaji tetor është një muaj ku nevoja për të bashkuar forcat, për të ngritur zërin për shëndetin e grave, bëhet më emergjente se kurrë”, ka thënë ministrja Ogerta Manastirliu.

Ajo ka treguar se është siguruar që çdo spital rajonal të ketë mamografi.

“Mamografia për çdo grua është falas në çdo ditë të vitit, ndërsa në tetor shërbimi ofrohet edhe pasdite, edhe të shtunën. Duhet që çdo grua të dijë që mamografitë e lëvizshme janë kudo në Shqipëri për të kryer diagnostikimin kundër kancerit të gjirit”, ka vijuar ajo.

Sipas saj, trajtimi i grave me kancer gjiri ka ndryshuar në këto vite, duke rritur jetëgjatësinë.

“Ajo çfarë ka ndryshuar në këto vite është mbështetja për trajtimin e grave. Nëse deri para pak vitesh nuk mendohej trajtimi me imunoterapi, me terapi të targetuar kundër kancerit të gjirit sot jo vetëm që është e mundur, po është e mundur për çdo grua dhe është falas”.

“Kemi dyfishuar buxhetin për terapitë në Shërbimin Onkologjik”, ka shtuar Manastirliu.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë.

Në Shqipëri u diagnostikuan 714 gra me kancer gjiri gjatë vitit të fundit. Dhe janë më shumë se pesë mijë gra që jetojnë me kancer gjiri në vendin tonë.

Qeveria shqiptare ka miratuar në vitin 2020 një program kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit.

Shërbimet që përfshihen në të nisin nga informimi, këshillimi, në qendrat shëndetësore, tek ekzaminimi i mamografisë në poliklinika, spitale dhe përmes njësive të mamografëve të lëvizshëm.

Sakaq, të dhënat tregojnë se ka një trend në ulje të vdekshmërisë së stadardizuar, që lidhet me diagnostikimin e hershëm dhe kryesisht me trajtimin e sëmundjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore