Shqipëria

Tentoi të vriste pronarin e hotelit, në pranga këngëtari i njohur


Policia e Tiranës ka arrestuar një 30-vjeçar, i cili tentoi të vriste me armë zjarri pronarin e një hoteli pas një konflikti. Në pranga ka rënë dhe shoqëruesja e tij.

Përkatësisht shtetasja E. D., 30 vjeçe, e cila shoqëronte shtetasin E. S. – që njihet me emrin Vinz, këngëtar –  u arrestua me akuzën për “Moskallëzim Krimi”.

Ndërsa Policia ka shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë, E. M ., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe Xh. S., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Këta dy shtetas i erdhën në ndihmë 30-vjeçarit gjatë konfliktit.

“30-vjeçari gjatë konfliktit në ambientet e hotelit, ka tentuar të vrasë me armë zjarri njërin nga pronarët e hotelit, shtetasin Z. Xh”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore