Lajme

“Të zhdukurit me forcë – çështje humane, jo politike”


Bilbordi ku janë shkruar emrat e personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, komisionet që merren me çështjen e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, vlerësojnë se kjo temë po politizohet.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se çështja e personave të pagjetur nuk duhet të jetë politike. Por, humanitare.

Siç thekson Hoti “depolitizimi është parakusht i suksesit në përpjekjet e vendit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”.

“Fatkeqësisht Serbia vazhdon me politizimin e kësaj çështje. Ajo duhet të heqë dorë nga kalkulimet politike me fatin e të pagjeturve dhe të dëshmojë vullnet duke treguar se çka ka ndodhur dhe ku gjenden”, është shprehur Hoti.

Sipas tij, ekziston një fakt relevant që duhet theksuar në këtë çështje.

“Serbia ka qenë e organizuar në nivel shtetëror me organet dhe forcat policore e ushtarake, si dhe me paramilitar që kanë vrarë e masakruar në Krushën time e në mbi 100 vendbanime të tjera anë e kënd Kosovës, duke i kidnapuar dhe zhdukur me forcë me mijëra persona. Ndërsa Kosova është vetëmbrojtur përmes UÇK-së duke e ditur sa të kufizuara kanë qenë kapacitetet e saj”, ka potencuar ai.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti

Andaj kërkesa e për hapjen e arkivave të Serbisë  sipas Hotit, “është e drejtë dhe e pashmangshme”.

“Kjo është e vërteta që duhet ta pranojmë. Në të kundërtën, nëse tentohet të barazohet përgjegjësia, nuk kemi bërë asgjë përveç se vazhdojmë ta politizojmë këtë çështje thellësisht humanitare. Tentimi për ta barazuar përgjegjësinë do të thotë politizim, prandaj zgjidhja është në Beograd”, shtoi ai.

Duke theksuar se “nuk duhet të ketë” marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë pa zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë, Hoti ka thënë se “kjo çështje duhet të jetë prioritet në çdo takim në Bruksel”.

“Nuk mund të tentohet normalizimi i marrëdhënieve me dikë, që nuk e ka as më të voglin vullnet për të pranuar krimet e saj, gjenocidin që ka bërë ndaj qytetarëve të Kosovës”, është deklaruar ai.

Siç thotë Hoti, në zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë, njëra ndër sfidat kryesore është “faktori kohë”.

“Mirëpo, ne si Komision dhe familjarët nuk do të ndalemi, duke lëvizur çdo gur për të zbuluar çdo informacion që ka të bëjë me këta persona. Nëse faktori ndërkombëtar bënë presion më të madh ndaj Serbisë, për t’iu imponuar përgjigjen që vetëm ata e kanë, besoj shumë që do të dihet fati i tyre”, përfundoi ai.

Edhe Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se çështja e personave të zhdukur “duhet patjetër të jetë pjesë e negociatave të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Kam përshtypjen se në Kosovë, çështjen e personave të zhdukur e ngrisim vetëm atëherë kur shënohet Dita Kombëtare për personat e zhdukur. Si kryetare e komisionit kam kontakte të vazhdueshme me organizatat që janë duke e përfaqësuar Kosovën për personat e zhdukur dhe zakonisht kanë kërkesa dhe janë në pritje se çka do të ndodhë”, është shprehur Balje.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje

Sipas saj, Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Ne si vend nuk kemi bërë shumë për këta persona, pavarësisht se nuk është punë e lehtë, duhet ta kemi një strategji tjetër për të bërë më shumë për ta. Kosova duhet ta formojë një grup shumë serioz për tu marrë me këtë çështje”, shtoi ajo.

Për deputeten e Kuvendit të Kosovës, Serbia po shihet si pengesë për gjetjen e personave të zhdukur.

“Unë si përfaqësuese e shtetit, kam kontaktuar me persona të cilët nuk kanë pranuar të flasin sepse jam deputete e një shteti që nuk e kanë pranuar si të pavarur”, ka thënë ajo.

“Si shtet jemi shumë të interesuar ta zgjidhim këtë çështje, është shumë gabim i madh nëse ne nuk e trajtojmë këtë çështje edhe me ndërkombëtarët edhe me Serbinë, sepse e kemi borxh për familjet të cilët ende nuk dinë për fatin e të dashurve të tyre”, është shprehur Balje duke shtuar se “është koha që të bëjmë më shumë dhe të gjenden e të dihet fati i të gjithëve”.

30 gushti shënohet si Dita Ndërkombëtare e personave të Zhdukur në mbarë botën.

Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë, pasi lufta e fundit në vend, bëri që shumë persona të mbesin të zhdukur.

22 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, më shumë se 1 mijë e 600 persona figurojnë si të pagjetur.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6 mijë 500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa gërmime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore