Lajme

Të djathtët e Evropës firmosin deklaratën e “së ardhmes”


Gjashtëmbëdhjetë parti të djathta dhe të ekstremit të djathtë evropian, kanë nënshkruar të shtunën e 3 korrikut një “Deklaratë mbi të ardhmen e Evropës”.

‘Lega’ dhe ‘Fratelli d’Italia’, ‘Rassemblement National’ e Marine Le Pen, ‘Fidesz-i’ i Viktor Orban apo ‘Ligji dhe Drejtësia’ polake (PiS), janë disa nga partitë që përfshihen në deklaratë.

BE

Partitë kanë argumentuar se Bashkimi Evropian po bëhet “një instrument për forcat radikale që do të dëshironin të kryenin një transformim kulturor dhe fetar deri në ndërtimin e një Supershteti Evropian pa kombe” dhe që do të shkatërronte vlerat e tij themeluese.

Deklarata u prezantua si një përparim i mëtejshëm i planeve për të forcuar aleancën midis partive të djathta ekstreme të Evropës.

Në të vërtetë, ajo është nënshkruar mes pakënaqësisë dhe skepticizmit në rritje, dhe duket se është e destinuar të ketë disa pasoja konkrete.

Sidomos në lidhje me planet e së djathtës ekstreme për të formuar një grup të vetëm sovran në parlamentin Evropian, i cili nuk duket i mundshëm për momentin.

Deklarata

Deklarata ka një thirrje të paqartë për të ruajtur “traditat dhe vlerat e zakonshme dhe të krishtera” të kombeve evropiane.

Për të djathtët, familja është njësia themeltare dhe për të zgjidhur rënien demografike të kontinentit ata planifikojnë “politikat pro-familjes” në vend të “emigracionit masiv”.

Por, deklarata nuk përmban asnjë lloj referimi në plane konkrete operacionale. Kjo konfirmon divergjencat e objektivave dhe interesave midis palëve që e kanë nënshkruar atë.

Partitë

Përveç palëve të përmendura më sipër, “Vox-i” Spanjoll dhe një numër partish të tjera më të vogla nga Austria, Belgjika, Holanda, Danimarka, Estonia, Letonia, Finlanda, Lituania, Greqia, Bullgaria dhe Rumania gjithashtu iu bashkuan deklaratës.

Midis partive të ekstremit të djathtë që mungojnë, ajo që bie në sy është Alternativa gjermane ‘für Deutschland’ (AfD), Demokratët Suedezë dhe Partia Holandeze e Lirisë (PVV) e Geert Wilders.

Situatë komplekse

Për vite me radhë, partitë populiste të krahut të djathtë evropian janë përpjekur të punojnë së bashku për të shndërruar konsensusin e përhapur në një forcë të përbashkët që mund të ndikojë edhe në institucionet evropiane.

Deri më tani ata kanë dështuar, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme dhe aleancave që janë formuar midis partive pro-evropiane të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë.

Pavarësisht nga takimet dhe negociatat e shumta, dështimet e akumuluara deri më tani kanë treguar se një aleancë transnacionale midis partive nacionaliste është shumë komplekse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore