Sport

Tare zyrtarizon largimin nga Lazio pas 18 vitesh


Igli Tare nuk do të jetë më pjesë e klubit të Lazio-s pas 18 vitesh, i cili fillimisht kishte qenë futbollist i klubit kryeqytetas, pastaj edhe Drejtor Sportiv.

Ish-qendërsulmuesi fillimisht iu bashkua “Biancocelesti”-ve si lojtar në vitin 2005 dhe kaloi tre vjet duke luajtur për klubin përpara se të varte këpucët dhe të kalonte në menaxhim.

Duke folur për TG1 përmes “La Gazzetta dello Sport”, Tare njoftoi largimin e tij nga Lazio, duke thënë: “Po largohem pas 18 vitesh, ishte një aventurë intensive. Unë mbaj gjithçka në zemrën time.”

“Pas 18 vitesh, eksperienca ime e mrekullueshme si drejtor sportiv i Lazio-s ka ardhur në fund. E kam bërë këtë zgjedhje prej disa kohësh, por prita deri sa Lazio të arrinte objektivin për të shkuar në Ligën e Kampionëve, i sigurt që ndërtova një skuadër të fortë, me lojtarë të jashtëzakonshëm që arritën këtë objektiv”, ka thënë Tare.

“Ka qenë një aventurë e gjatë e krijuar me momente të lumtura, humbje dhe trofe. Unë nuk do të ndaloj kurrë së falënderuari presidentin Lotito për këtë mundësi të madhe, tifozët bardhekaltër që hynë në zemrën time, klubin me të gjithë pjesëtarët, lojtarët, stafin dhe të gjithë ata që ishin afër meje në këtë rrugëtim”, shtoi ish-sulmuesi shqiptar.

“Falënderim special për familjen time, që gjithmonë ka qëndruar pranë meje. Një mundësi prestigjioze që më është dhënë si futbollist dhe si menaxher dhe që sigurisht nuk do e harroj kurrë, duke marrë çdo moment të këtij rrugëtimi me vete”, tha mes tjerash Tare.

Ish-sulmuesi i kuqezinjve pati një sërë ulje-ngritjesh gjatë kohës së tij në drejtimin e Lazio-s, duke arritur marrëveshje mbresëlënëse si ardhjet e Luis Alberto, Sergej Milinkovic-Savic dhe Ciro Immobile.

Megjithatë, vitet e fundit, besimi filloi të zbehej tek shqiptari, me investime si 20 milionë euro të shpenzuara për Vedat Muriqi-n apo 10 milionë euro për Denis Vavron që nuk dhanë rezultat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore