Lajme

Tahiri për rastin në spitalin e Pejës: Kurti as edhe një fjalë të vetme për këtë skandal, injoroi deputetët


Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri,.

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj heshtjes së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për rastin e fundit në Spitalin e Pejës ku një foshnje e porsalindur ishte futur pa shenja jete bashkë me çarçafë në një lavatriçe.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Tahiri ka thënë se kur në Kuvendin e Kosovës u kërkua sqarim nga kryeministri, përgjigja që morën ishte injorimi.

“Të tronditur nga një skandal i thellë papërgjegjësie që ndodhi në Spitalin Rajonal të Pejës, deputetët e opozitës i kërkuan kryeministrit Kurti që të japë shpjegime, megjithëse po të kishte karakter, ai do të duhej të jepte përgjegjësi”.

“Ndërsa ai, jo vetëm që s’dha kurrfarë shpjegimi e përgjegjësie, por me një ftohësi pa kurrfarë ndjeshmërie i injoroi deputetët duke mos thënë as edhe një fjalë të vetme për këtë rast e skandal të rëndë”, deklaroi Tahiri.

Teksa, kujtoi edhe periudhën që Kosova është pa drejtues në dikasterin e Shëndetësisë.

“Tani bëhen tre muaj që Kosova është pa ministër të shëndetësisë. Çfarë papërgjegjësie!!!”.

Pas ngjarjes që ka ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku një foshnjë e porsalindur pa shenja jetë është futur bashkë me çarçafë në një lavatriçe, Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur të enjten se është shkarkuar kryeinspektor i Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.

Nga Ministria është thënë se ky vendim është marrë pas mbledhjes së të gjitha informacioneve.

Në këtë pozitë të premten është vendosur Nora Kursani-Demjaha.

MSH ka kërkuar angazhimin e Prokurorisë dhe Policisë që ky rast të zbardhet.

Për rastin e foshnjës së porsalindur e cila ishte futur pa shenja jete bashkë me çarçafë në një lavatriçe ishin njoftuar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore