Kosova

Tahiri: PDK s’mund të bëhet palë e Qeverisë që po orvatet të ushtrojë kontroll autoritar


Ilustrim

Partitë opoztiare – PDK, LDK dhe AAK – kanë lëshuar sallën në momentin që Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër që Projektligji për Zyrtarët Publik, ai për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të kthehen për ri-shqyrtim Qeverisë së Kosovës, apo Komisionit përkatës.

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka thënë se PDK “nuk mund të bëhet palë e kësaj qeverie, qeverie që, përmes Kuvendit të Kosovës, orvatet të ushtrojë kontroll autoritar, t’i frikësojë dhe t’i kap mediat, gjyqësorin dhe administratën publike.

“Nuk mund të vazhdonim të qëndronim në seancën e sotme të Kuvendit ku po tentohej të kaloheshin tri projektligje që rrezikojnë lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe sigurinë juridike të zyrtarëve publikë”, ka shkruar ai.

Fillimisht me 47 vota kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë refuzuar kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanajt, që Projektligji për Këshillin Prokurorial të kthehet në Komisionin e Venecias, ashtu siç ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian për shqyrtim.

Për një kërkesë të tillë pro votuan vetëm 27 deputetë, ndërsa katër abstenuan.

Kundër kanë qenë deputetët e partisë në pushtet.

Ndaj kërkesës së Selmanaj ka abstenuar edhe kryeparlamenari Glauk Konjufca, ndërsa është përkrahur vetëm nga partitë opozitare.

Gjithashtu 50 deputetë votuan kundër që projektligji për KPM-në të kthehet në Qeveri apo në Komisionin përkatës.

Për një gjë të tillë votuan pro vetëm 25 deputet, ndërsa 3 abstenuan.

Kundër propozimit të LDK-së votuan deputetët e LVV-së.

Ndërkohë 50 deputetë votuan kundër edhe për Projektligjin për Zyrtarët Publik t’i kthehet Qeverisë apo Komisioni përkatës.

25 deputetë ishin për kërkesës së LDK-së ndërsa 3 abstenuan.

Opozita lëshon sallën, 3 projektligjet e kritikuara nga BE-ja s’kthehen në Qeveri për rishqyrtim  

Çfarë tha BE-ja?

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, të mërkurën, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës “nuk i ka marrë parasysh komentet” e Unionit për Projektligjin për Zyrtarët Publik, atë për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës – të cilët pritet të shqyrtohen në Kuvendin e Kosovës, duke shprehur shqetësimin e tyre për një gjë të tillë.

Sipas Zyrës së BE-së, komentet e bllokut kanë pasur për synim përmirësimin e këtyre projektligjeve dhe kalibrimin e tyre me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Zyra e BE-së në Kosovë, ka potencuar, ndër të tjera se këto projektligje “janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së”.

“Vlerësimi i përafrimit me standardet evropiane do të jetë gjithashtu vendimtar për vlerësimin e progresit nga Komisioni i BE-së në raportin e zgjerimit. Prandaj i bëjmë thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet e BE-së”.

BE-ja, Qeverisë: S’morët parasysh komentet tona për disa projektligje, jemi të shqetësuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore