Kosova

Tahiri: Kjo ka qenë qeverisja më e dëmshme dhe më eksperimentale në vend


Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri konsideron se Kosova është më e varfër tani sesa që ka qenë para dy vite.

Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës është shprehur se kjo Qeveri ka krijuar pasiguri tek secili qytetarë.

“Sot janë bërë dy vjet e dy ditë prej kur Qeveria Kurti, ka instaluar pasigurinë më të madhe që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë kohë, është instaluar një pasiguri tek qytetarët e Kosovës, është prekur shtylla kurrizore e bazamentit të shtetit”.

“Ajo që dimë sot është se Kosova është më e varfër nga 14 shkurti i vitit 2021. Qytetarët e Kosovës duke humbur shpresën nga kjo qeveri kanë marrë rrugën e migrimit. E për me keq edhe një numër i profesionistëve kanë marrë të njëjtën rrugë, siç janë profesionistët shëndetësorë”.

Sipas Tahirit, “kjo ka qenë qeverisja më e dëmshme dhe më eksperimentale në vend”.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se gjendja e “mjerueshme” e Kosovës mund të dëshmohet me ballafaqimin në QKUK.

“Dëmi që është shkaktuar është tepër i madh dhe në fakt është kolatoral. Secili prej nesh e dimë që ballafaqimi me QKUK-në është ballafaqim i vetmuar.  Nuk mund ta marrin as shërbimin më të thjesht, për dy vite personeli shëndetësor akoma nuk ka marrë pagën me rritje”.

Shqetësuese edhe për deputetin nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj mbetet ikja e të rinjve nga vendi.

“Një numër i madh i njerëzve në Kosovë nuk janë duke e projektuar më të ardhmen e tyre. Fshatrat janë duke u zbrazur. Po i jap disa informacione të cilat i kam siguruar vetëm në ambasadën gjermane për një vit 105 mijë qytetarë kanë aplikuar për vizë, në ambasadën zvicerane 38 mijë e 341 aplikues për vizë dhe nga ta 34 mijë prej tyre janë pajisur me vizë”, tha Selmanaj.

“Kjo qenka qeveri e shpresës e cila nxit kurajën e njerëzve për të jetuar në Kosovë”.

Sipas tij, aktualisht nuk janë duke ikur vetëm njerëzit që nuk kanë pasur kualifikime.

“Po na ikin mjekët, juristët, inxhinierët, arkitektët e kështu me radhë”.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka hedhur kritika mbi Qeverinë Kurti se si ka qeverisur vendin për dy vjet mandat.

Hoxha në Kuvend ka thënë se asnjëherë më tepër nuk ka pasur të rinj e profesionistë nëpër ambasada që po duan të ikin.

“Të dashuruarve e çifteve të reja Shën Albini u premtoi banesa të përballueshme që të kenë mundësi të nisin jetën e përbashkët me lehtësi. Jo që nuk e ka realizuar asnjë deri sot, por është siguruar që edhe çifteve më të vjetra tu shtrenjtojë tatimin në pronë e t’ua rëndojë jetën”.

“Asnjëherë nuk ka pasur një rend kaq të gjatë të të rinjve e profesionistëve para ambasadave për ta lëshuar vendin. Asnjëherë s’ka pasur ulje të rrogave. Sot me idenë e rritjes së rrogave dhe barazisë, në shumicën e kategorive janë ulur rrogat”, deklaroi ajo.

Ajo madje ka akuzuar Qeverinë Kurti për punësimin e personave të tyre në institucione.

“Pak si më shkurt, në Qeveri çdo ditë ka dasmë, sa halla, sa tezja, sa motra e vëllezër të punësuar në secilin bord e institucion publik”.

Edhe, deputeti në Parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Shemsudin Mehmedoviç është duke marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Këtu në seancë e kemi të pranishëm në seancë e kemi edhe mysafirin nga Bosnja deputetin Shemsudin Mehmedoviç, e përshëndesim. Faleminderit zotëri Mehmedoviç që po e vizitoni Kosovën dhe keni ardhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Një vizitë të ngjashme në Kosovë deputeti nga Bosnja e kishte realizuar në vitin 2016.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore