Lajme

Tahiri kërkon interpelancë për Muratin: Ekonomia buzë kolapsit


Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri dhe ministri i Financave Hekuran Murati.

Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që të ftohet në interpelancë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Tahiri, në një konferencë për media këtë kërkesë e ka bërë pasi sipas tij ekonomia është buzë kolapsit si dhe qytetarët janë të shtyrë që ta lëshojnë vendin.

“Ndërhyrja e Qeverisë në strukturën e të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore ka qenë shumë e dëmshme në rrjedhat e zhvillimit në vend duke i ngritur normat e tatimit në njërën anë, e në anën tjetër duke i bllokuar investimet kapitale”.

“Vetëm për dy vjet qeverisje janë bllokuar rreth 500 milionë euro të investimeve kapitale, me çka është dëmtuar ekonomia e vendit për rreth 200 milionë euro si pasojë e inflacionit dhe vonesës se investimeve kapitale”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu ka kërkuar rishikim të buxhetit të Kosovës dhe rritjes së pagave në sektorin publik.

Sipas tij, “gjendja e rëndë socio–ekonomike në vend e krijuar nga niveli i lartë i inflacionit, rritja e çmimeve të konsumit, shtrenjtimi i çmimit të energjisë dhe vendimi për rritjen e tatimit në pronë, ka bërë që  qytetarët të përballen me vështirësi të shumta”.

Ndër të tjera, ai ka theksuar se Kosova rrezikon të zbrazet edhe më shumë pas rrethanave që janë krijuar.

“Rritja e pagave në sektorin publik do të ishte zgjidhje që do të lehtësonte sado pak këtë situatë, pasi kjo është kërkesë e kohës”.

“Kjo rritje do të duhej të ndodhte menjëherë me rishikimin buxhetor dhe kjo do të ndikonte në rritjen e konsumit të përgjithshëm por edhe indirekt në rritjen e pagave në sektorin privat. Nëse ky veprim nuk ndodh menjëherë, Kosova rrezikon të zbrazet dhe të mbes pa shumë profesionistë të zotë”.

Në Kosovë, gjatë vitit 2022, janë shtrenjtuar dukshëm edhe çmimet e produkteve bazë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 5.7 për qind në muajin tetor.

Rritja më e lartë e çmimeve është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore