Lajme

Tahiri: “Çfarë rënie në marrëdhëniet Kosovë-SHBA”


Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri

“Presidentja nuk arriti të takohet as me Sekretarin e shtetit amerikan, Antony Blinken, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, mbërriti vetëm deri në Iowa, ndërsa Kryeministri Kurti fare nuk u ftua në Samitin e Demokracisë. Çfarë rënie në marrëdhëniet Kosovë-SHBA. Çfarë dëmtimi i interesave shtetërore”.

Kështu është shprehur përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, teksa ka komentuar vizitën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në SHBA.

Ndërkaq, Osmani, është takuar me nënsekretaren e  SHBA-ve, Victoria Nuland, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Gjatë qëndrimi të saj në SHBA, Osmani është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Me kënaqësi mirëprita presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar një gamë të gjerë prioritetesh të përbashkëta, duke përfshirë sundimin e ligjit, energjinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. SHBA falënderojnë Kosovën për mbështetjen e hershme dhe bujare për të pritur përkohësisht afganët e zhvendosur”, ka shkruar Nuland në një postim në Twitter.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me nënsekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Victoria Nuland

Përveç kësaj, një takim tjetër Osmani e ka zhvilluar edhe me drejtoreshën e USAID-it, Samatha Power.

“Me kënaqësi e mirëprita presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për të diskutuar rreth mbështetjes së USAID-it për popullin e Kosovës dhe si mund të ndihmojmë në avancimin e fuqizimit të grave dhe punësimin. Kur e falënderova për mbështetjen e Kosovës për 2,000 refugjatë afganë, ajo tha, ‘ne e kemi mirëpritur mundësinë për t’ua kthyer ndihmën’”, ka shkruar Power.

Po ashtu, ajo ka takuar kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Mahmoud Bah ku është diskutuar rolin e MCC-së në Kosovë dhe për nevojat e sektorit të energjisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Mahmoud Bah

Përmes një komunikate për medie nga Presidenca, u tha se gjatë këtij takimi u rikonfirmua partneriteti i fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe MCC-së.

Osmani ka vlerësuar rolin dhe punën e MCC-së në Kosovë në promovimin e qeverisjes së mirë, sundimin e ligjit, si dhe avancimin e sektorit të energjisë, si parakushte për zhvillimin ekonomik në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore