Lajme

Szunyog sërish apelon kujdes ndaj “incidenteve të sigurisë”


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, pas cicërime në rrjetin social “Twitter”, për rritje të incidenteve ndëretnike në Kosovë është pyetur se ku I kishte bazuar këto deklarata.

Sipas tij, qëllimi i deklaratës ka qenë që vetëm niveli i sigurisë të rritet.

“Arsyeja e deklaratës është se me të vërtet në dy-tre vitet e fundit kemi vërejtur rritje të numrit të incidenteve të sigurisë, më së shumti për shkak të kufizimeve për COVID-19, por edhe për shkak të krizës ekonomike, e cila preku gjithë Kosovën”.

Ai bëri thirrje që çështja e sigurisë të adresohet nga institucionet.

“Ne besojmë se kjo është diçka që duhet të adresohet me punën e mirë të policisë, por gjithashtu duhet të adresohet nga aktivitetet e niveleve të ndryshme të qeverisjes, përfshirë komunat, por edhe qeverinë në përgjithësi, dhe kjo ishte baza e deklaratës”, deklaroi Szunyog.

Ai pohoi se kishte pasur diskutim me Qeverinë dhe institucionet e tjera në lidhje më këto incidente,

“Epo, ne kemi pasur një diskutim për këtë. Dhe përsëri, mendoj se kjo është diçka që duhet diskutuar edhe në të ardhmen”, tha ai për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Presidentja e Kosovës, Vjsoa Osmani, kishte apeluar që nuk duhet askush të nxitojë të bëjë kualifikime të cilat nuk janë të konfirmuara.

“Është me rëndësi që askush të mos ngutet të bëjë kualifikime, të cilët nuk janë të konfirmuara nga institucionet e sigurisë, sepse kjo e dëmton edhe imazhin e shtetit tonë, por edhe dëmton përpjekjet tona për një Kosovë ku të gjithë qytetarët ndihen të barabartë, të sigurt dhe me të drejta të realizuara ashtu siç e parasheh Kushtetua”, pati shtuar Osmani.

Ndër të tjera, as kryeministri Albin Kurti, nuk ishte pajtuar me deklaratën e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, se ka rritje të rasteve të incidenteve ndëretnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore