Sport

Sylvinho zbulon listën e kombëtares për dy ndeshjet kualifikuese


Federata Shqiptare e Futbollit ka zbuluar listën zyrtare të trajnerit të kombëtares, Sylvinho me 27 futbollistët e ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të Europianit 2024.

Ndeshja e radhës është më 17 qershor me Moldavinë në Tiranë, ndërsa tre ditë më pas kuqezinjtë udhëtojnë për në Ishujt Faroe.

Përballja e parë e të besuarve të trajnerit brazilian në grupin E, përfundoi me humbjen minimale 1-0 në transfertë me Poloninë.

Sylvinho ka ftuar katër portierë në grumbullim ku përveç Etrit Berishës, Thomas Strakoshës e Elhan Kastratit në listë është edhe Simon Simoni, portieri i Kombëtares U-21.

Për të kjo është thirrja e parë me ekipin kombëtar në një ndeshje zyrtare.

Në mbrojtje rikthehen Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli, të cilët munguan në mars ndaj Polonisë pë shkak dëmtimi, ashtu si edhe Adrian Bajrami.

Mbrojtja përbëhet gjithashtu nga emra si: Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Federic Veseli, Enea Mihaj dhe Andi Hadroj.

Në këtë repart është ftuar edhe Mario Mitaj, i cili njësoj si Simoni vjen nga Kombëtarja U-21.

Keidi Bare e ka lënë pas dëmtimin dhe është plotësisht i gatshëm për Kombëtaren në këto ndeshje të rëndësishme.

Mesfusha përbëhet gjithashtu nga emra si: Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Nedim Bajrami, Qazim Laçi dhe Anis Mehmeti.

Për sulmin trajneri brazilian ka ftuar gjashtë lojtarë, ku bie në sy rikthimi i Armando Sadikut, ndërkohë që trajneri ka ftuar edhe Ernest Muçin, së bashku me Myrto Uzunin, Taulant Seferin, Jasir Asanin dhe Sokol Cikalleshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore