Lajme

Sveçla: Urdhri për hedhjen e granatës në Veri erdhi nga Vuçiçi


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhjen e granatës ushtarake të dorës të enjten në mbrëmje në Veri të Kosovës, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, ky veprim është bërë me urdhër të tij.

“Inspirimi, mbështetja dhe urdhëri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviçit, Aleksandër Vuçiç. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë”.

“Serbia me në krye Vuçiçin jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se ky sulm ka ardhur pas arrestimit të tre serbëve për krimet që janë kryer në Kosovë gjatë luftës.

“Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë”.

“Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës”.

“Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë me bindje se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund.

“Hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë”.

“Kosova do të jetë shtet i së drejtës, i qytetarëve të barabartë ku barazia dhe prosperiteti do të garantohen për të gjithë”.

Një shpërthim i fuqishëm që dyshohet se ishte granatë dore është dëgjuar në “Lagjen e “Boshnjakëve” në Veri të Mitrovicës të enjten.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

“Mbrëmë rreth orë 22:40 ka ndodhur një shpërthim në Lagjen e Boshnjakëve në një shtëpi. Pas daljes në vend të ngjarjes së ekipit të specializuar dyshohet se kemi të bëjmë me shpërthim të granatës së dorës M75”, tha ai.

Por, sipas Elshanit, pos dëmeve materiale nuk ka pasur ndonjë person të lënduar, derisa polica po e heton rastin.

Shpërthim në Veri, dyshohet se ishte granatë dore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore