Kosova

Sveçla për ish-drejtorin e Policisë: Ende po mendon se Departamenti i Hetimeve duhet t’i raportojë atij


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i cili të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës e akuzoi se i ka mbajtur në takim shefat e hetimeve për 12 orë.

Sveçla shkroi se ish-drejtori i Policisë së Kosovës asnjë qëllim të mirë nuk e ka pasur, ndërsa shtoi se Qalaj ende mendon se Departamenti i Hetimeve duhet t’i raportojë atij dhe, për më tepër duan t’i intimidojnë policët hetues që kryejnë punët e tyre.

“Takimi i përmendur sot ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë (për ironi të fatit, në objektin që është pronë e MPB-së). Pjesëmarrësit e atij takimi kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë dhe kabineti im”, shpjegoi Sveçla.

“Policia e Kosovës është Agjenci Ekzekutive nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është detyrë e imja që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatoj. Kjo vlenë për të gjitha agjencitë që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme”.

Qalaj deklaroi gjatë ditës se presioni i pushtetit aktual bëri që të shkarkohet nga detyra drejtori i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, Musli Salihu, për shkak se njësia e tij nisi hetimet për keqpërdorimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, të cilat më pas rezultuan me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Në fillim të marsit, në objektin në Parkun Nacional në Blinajë, jashtë objektit të ministrisë, Sveçla ka mbajtur në takim 12 orë shefat e hetimeve duke i raportuar për raportin vjetor. Është e kundërligjshme, e tmerrshme, frikësuese dhe nuk guxon të ndodhë”, deklaroi Qalaj.

Megjithatë, ministri Sveçla potencoi se nuk kanë asnjë rrugë tjetër përveç luftimit të krimit.

“Ne nuk kemi rrugë tjetër përveç asaj të luftimit të krimit. Dhe ne do ta ndjekim atë rrugë pashmangshëm. Lufta jonë ndaj krimit do të vazhdojë, përkundër sulmeve e përpjekjeve për të minuar këtë proces”.

“Për këdo që ka dilema në këtë, më vjen keq për ta, është proces i pakthyeshëm dhe natyrisht për disa edhe i dhimbshëm. Ne nuk kemi pranuar të shantazhohemi nga asnjë rrethanë, sot më shumë së kurrë as nuk shantazhohemi as nuk zbmrapsemi”, shtoi Sveçla.

Qalaj akuzon qeverinë se shkarkuan një drejtor në polici për shkak të Nagip Krasniqit – vetë policia mohon pretendimet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore