Lajme

Qalaj akuzon qeverinë se shkarkuan një drejtor në polici për shkak të Nagip Krasniqit – vetë policia mohon pretendimet


Rashit Qalaj, Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka deklaruar se presioni i pushtetit aktual bëri që të shkarkohet nga detyra drejtori i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, Musli Salihu, për shkak se njësia e tij, nisi hetimet për keqpërdorimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, të cilat më pas rezultuan me arrestimin e Kryeshefit të Korporatës, Nagip Krasniqi.

Në foltoren e Kuvendit, këtë të enjte, Qalaj, i cili shërbeu edhe si drejtor i përgjithshëm i policisë së Kosovës, ka deklaruar se shkarkimi i Drejtorit të Krimeve Ekonomike erdhi pas një deklarate të ministrit Sveçla në RTK, se ai “nuk është i kënaqur me një pjesë të Prokurorisë së Shtetit dhe do të rishikoj punën e policisë që është marrë me rastin (e hetimeve në KEK)”.

Shkarkimet, thotë Qalaj do të ishin normale nëse ato do të bëheshin për shkak të performancës jo të mirë gjatë kryerjes së detyrave, por jo “për shkak se njësitet e krimeve ekonomike filluan hetimet për dyshimet e keqpërdorimeve në KEK”.

Albanian Post ka pyetur Policinë për këtë rast. Zyra për medie pranë këtij institucioni nuk e ka mohuar faktin se është ndërruar Drejtori i departamentit të krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, por ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e ish drejtorit të policisë Qalaj, duke thënë se në Policinë e Kosovës që nga muaji i kaluar, “struktura organizative si pjesë e planit zhvillimor strategjik të PK-së është rishikuar, reformuar dhe ndryshuar komfor planifikimeve dhe nevojave operacionale policore, me qëllim të avancimit dhe funksionimit edhe më të mirë të PK-së, në interes të shërbimit sa më efikas ndaj qytetarëve dhe vendit”.

Për më tepër, policia ka thënë se Drejtorit të Krimeve Ekonomike i është ndërruar pozita me dëshirën e tij.

“Ndryshimi i fundit i zyrtarit të PK-së është realizuar në këtë frymë dhe me kërkesë të tij për transferim në këtë drejtori, pasi që është vlerësuar se Drejtoria e Teknikës Kriminalistike si strukturë e veçantë dhe kritike për PK-në duhet të avancohet duke ngritur kapacitetet sipas nevojës së kohës dhe rrethanave”.

Më tej, policia ka njoftuar se hetimet në KEK nuk janë bërë nga Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike, por “është duke u hetuar nga tjetër nivel i hetimeve në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale”.

Këtë deklaratë të Policisë, ish drejtori Qalaj i ka quajtur të pavërteta.

“Policia e Kosovës për herë të dytë përgjigjet me të pavërteta”, ka thënë ai në Kuvend të Kosovës.

Më tej ai shtoi se është e vërtetë që rasti në KEK u hetua nga një taskforcë anti-korrupsion, por nuk është e vërtetë që “nuk është hetuar nga njësitet e krimeve ekonomike”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore