Lajme

Sveçla: Kryesit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të mbahen përgjegjës


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, pas arrestimit të një serbi në Graçanicë – komunë e banuar me serbë etnikë që gjendet afër Prishtinës – që dyshohet për krime lufte, tha se pjesëmarrësit në krimet makabre duhet të mbahen përgjegjës.

Ndaj personit të arrestuar të mërkurën në Graçanicë, siç njoftoi ministri Sveçla, ka patur një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme  për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës ni vitin 1998/1999.

“Në cilësinë e gardianit të burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, gjatë asaj periudhe, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë e dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë”.

Ai ndër të tjera bëri të ditur se gjatë kontrolleve të zhvilluara dhe bastisjes në banesën e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale në posedim të personit, ndërsa ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë hetimeve si dhe për arrestimin.

Ndryshe, serbët lokalë atje protestuan pas arrestimit të të dyshuarit për krime lufte para stacionit policor në Graçanicë, duke bllokuar rrugët kryesore Prishtinë-Gjilan që kalon nëpër këtë komunë dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarit.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.

Haxhiu: Bota t’i kërkojë Serbisë dorëzimin e kriminelëve të luftës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore