Kosova

Sveçla: Koha kur veriu kontrollohej nga strukturat terroriste të Serbisë ka përfunduar


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka thënë se ka përfunduar koha kur pjesa veriore e vendit kontrollohej nga strukturat kriminale e terroriste të Serbisë, derisa ka komentuar aksionin e Policisë së Kosovës gjatë ditës, ku edhe u gjetën dhe konfiskuan kamera vëzhguese në dy lokacione.

“Sot janë identifikuar dhe sekuestruar dy kamera të kamufluara në dy lokacione dhe pajisje të tjera ndihmëse të komunikimit, nga të cilat institucionet e Serbisë kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve, zyrtarëve të institucioneve tona të sigurisë dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë”, ka shkruar ministri kosovar në profilin personal.

Ndryshe, edhe në të kaluarën, autoritetet kosovare kanë gjetur kamera vëzhguese të instaluara nga strukturat paralele në veriun e trazuar të Kosovës, kryesisht në zonat e banuara me shumicë serbe. Në maj të këtij viti, dy kamera vëzhguese u gjetën të vendosura një rrugë malore, që dyshohet se ishin vendosur për vëzhgimin e rrugës nga kontrabandistët e dyshuar.

Përkundër se situata në pjesën veriore është më e qetë pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar, përkatësisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjes Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore