Lajme

Sveçla: Gjasat e vendosjes së afganëve në Qendrën e Studentëve janë minimale


Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjasat që qytetarët nga Afganistani që pritet të strehohen në Kosovë dhe të vendosen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë janë minimale.

Ai në një konferencë për media është pyetur nga gazetarët se kur do të arrijnë në Kosovë shtetasit afganë, Sveçla nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar, duke theksuar se Ministria për punë të brendshme është në koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi në koordinim të vazhdueshëm me SHBA-të dhe me përfaqësues të NATO-s. Ka disa alternativa të ndryshme qoftë për strehim qoftë për mënyrën e pritjes dhe transportimit të tyre në vendet ku do të akomodohen dhe Qendra e studentëve ka qenë një nga alternativat që realisht gjasat për të ndodhur tashmë janë minimale”, është shprehur Sveçla.

“Megjihatë nuk duhet harruar se Kosova ka kapacitete të vogla për tu marrë me këto situatat të tilla të jashtëzakonshme”.

Po ashtu, ministri Sveçla ka theksuar se bëhet fjalë për dy kategori që do të strehohen në Kosovë dhe për të dy palët bëhet fjalë për strehim të përkohshëm.

“Janë dy kategori që për të dy janë qëndrime të pakohshëm, nuk bëhet fjalë për strehim afatgjatë të tyre këtu. Është një numër i caktuar i alternativave, jemi duke biseduar me partnerët tanë se cila është zgjidhja më e mirë e mundshme dhe për këto do t’iu njoftoj”, shtoi ministri.

“Jemi në koordinim të vazhdueshëm më SHBA-të dhe NATO-n edhe për lokacionet ku do të strehohen”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë në të shtunën e 21 gushtit, Parlamenti Studentor e ka kundërshtuar vendimin për vendosjen e refugjatëve në konvikte.

Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, tha për Albanian Post se ende nuk kanë pranuar asnjë informacion nga institucionet përkatëse dhe që kjo nuk është hera e parë që organi më i lartë i studentëve po anashkalohet.

“Ne fatkeqësisht nuk e kemi pranuar asnjë informacion zyrtar nga institucionet për këtë lajm, tash po dëgjojmë nga mediat. Ne përfaqësojmë 40 mijë studentë dhe do të duhej të ishim të informuar për këtë gjë”, ka thënë Azizi.

Ai thekson se në rast se diçka e tillë del që të jetë e vërtetë Parlamenti Studentor është kundër këtij vendimi.

“Jemi absolutisht kundër dhe jemi të bindur që të gjithë studentët janë në këtë nismë në të cilën do ta ndërmarrim, të jemi të qartë se ne jemi pro të gjithë refugjatëve që kërkojnë azil politik në Kosovë duhet të vijnë, por që konviktet nuk janë vendi adekuat për këtë gjë”.

Detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë

Të martën e 17 gushtit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

“Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti, kur u pyet nga gazetarët, derisa kishte një vizitë rutinë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA-të kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talebanëve.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talebanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.

Ndërkaq, të dielën, më 15 gusht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo tha se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Osmani pati thënë se “Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore