Sport

Super ndeshja Kukësi përballë Vllaznisë për javën e 14 të Superligës


Kategoria Superiore e Shqipërisë do të luajë të premten dy sfidatat hapëse të javës së 14. Kukësi do të presë Vllazninë dhe Teuta do të presë Bylisin. Të dy sfidat do të luhen duke filluar nga ora 18:00.

Kukësi i Rrahman Hallaçit do të kërkojë të bëjë kthesë pas rezultateve negative. Dhe pikërisht ndeshja ndaj Vllaznisë do të ishte idealja. Një mënyrë e mirë për të ndalur dhe ecurin e kryesuesve të kampionatit dhe për të ngritur moralin e ekipit.

Verilindorët aktualisht janë në vendin e pestë me 17 pikë. Ku në pesë ndeshjet e fundit kanë grumbulluar vetëm një pikë.

Shkodranët janë në formën e tyre më të mirë. Ky sezon i ka gjetur me administratorë të rinjë dhe me një fytyrë krejtësisht të re. Në pesë ndeshjet e fundit Vllaznia ka tre fitore, një barazim dhe një humbje.

Vendi i parë u takon shkodranëve me plotë meritë. Teksa kanë 29 pikë në renditje, nentë pikë më shumë se Partizani i vendit të dytë.

Ndeshja e fundit midis Kukësit dhe Vllaznisë, ka qenë ajo e fazës së parë. Ndeshje e luajtur në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Kukësi e fitoi me rezultatin 2-4, me golat e Agim Ibrahimit (dy gola), Patrick Friday Eze-s dhe Vesel Limajt. Për Vllazninë shënuan Ismael Dunga dhe Ardit Hoxhaj.

Në ndeshjet si ekip pritës, Kukësi ka arritur të marr tre fitore, një barazim dhe dy humbje. Vllaznia në ndeshjet si ekip udhëtues ka tre fitore, dy barazime dhe një humbje.

Golashënuesit më të mirë për Kukesin janë Agim Ibrahimi dhe Patrick Friday Eze me nga gjashtë gola. Për Vllazninë, golashënuesi më i mirë është Ardit Hoxhaj, që kryeson dhe listën e golashënuesve të Superligës, me shtatë gola.

Ekipi i Kukësit është grumbulluar që ditën e enjte në Elbasan, pasi ndeshja luhet në “Elbasan Arena”.

Trajneri Hallaçi në prononcimin përpara ndeshjes me Vllazninë është shprehur:

“E kemi vlerësuar shumë Vllazninë, sepse vijmë nga disa rezultate jo të mira. Vllaznia ka bërë mirë dhe ka entuziazëm, por ne po punojmë për të rritur sa më shumë moralin e skuadrës”.

“Duhet pak kujdes, sepse përballë kemi një skuadër me kualitet, por i kemi mundësitë për të dalë nga kjo situatë. E di mirë se çfarë loje do të jetë nesër, do jetë ndeshje e luftuar, por të mos harrojmë se edhe ne kemi një organikë të mirë, pavarësisht se nuk kemi marrë rezultatet e duhura”.

Sulmi i Kukësit?

“Kemi vuajtur në sulm, por edhe në mesfushë edhe mbrotje, por të gjithë bashkë do t’ia arrijmë të dalim nga kjo situatë. Nuk mund të themi se gara ka mbaruar. Skuadra është ndërtuar për trofe e ne nuk jemi dorëzuar.

Një fitore nesër ndaj Vllaznisë e bën çdo gjë të hapur.  Me qetësi e kalojmë këtë ndeshje, kam plotësisht besim te skuadra. Do të afrohen 3-4 lojtarë cilësorë. Kukësi nuk ka dalë nga objektivat dhe këtë e them me bindje”.

Trajneri i Vllaznisë Thomas Bradariç-i është shprehur për ndeshjen:

“Edhe ndaj Kukësit nesër vetëm për fitore”

“Jam i gëzuar që nesër do të luajmë në një fushë të mirë si ajo “Elbasan Arena” ndaj Kukësit dhe jemi shumë të lumtur që lojtarët janë të motivuar dhe ne jemi gati”.

“I dimë aftësitë e Kukësit, por do të shkojnë nesër në ndeshje për të marrë 3 pikët. E di që ata nuk po kalojnë momentet të mira, por për mua kjo nuk ka rëndësi dhe unë mendoj për sfidën e nesërme. Ne kemi mësuar nga gabimet e bëra nga ndeshja e parë dhe vijmë në këtë takim pas rezultateve të mira. Mezi pres të shikoj përmirësimet e skuadrës”.

“Gurishta, Hoxhaj, Da Silva dhe Dunga nuk do të luajnë, por kemi futbollistë të tjerë që mund t’i zëvendësojmë. Mendoj se ata që do të luajnë janë gati për këtë takim”.

Vllaznia në sulm?

“Ne nuk luajmë me 11 portierë që të mos luajmë në sulm”.

Afrimi i Cisse-s?

“Të gjithë e dijnë që ne nuk kemi mundësi të marrim lojtarë siç ka bërë Tirana apo ekipet e tjera. Cisse është një djal i mirë, i duhet kohë për stërvitje dhe do të vendosim më vonë se çfrarë do të vendosim për të”.

Një fitore e mundshme e Kukësit, mund t’i katapultonte këta të fundit, në vendin e dytë. Duke u futur seriozisht në garë për titull.

Ndërsa Vllaznia me një fitore, do të rriste akoma dhe më shumë prestigjin. Dhe rruga drejt titullit do të ishte më e sigurt./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore